Asgjë nuk është e patransferueshme nëse jep çmimin e duhur. Nga Italia bëhet me dije se Juventusi është vënë pas Sandro Tonalit dhe Newcastle kërkon deri në 70 milionë euro për ta lënë të lirë.
Edhe në rastin e Sandro Tonalit, si me lojtarët e tjerë të mëdhenj të Newcastle, nga Alexander Isak te Bruno Guimaraes, çmimi “i duhur” është i lartë. Pavarësisht vështirësive në fillim të sezonit, apo dhjetë muajve të ndalimit të detyruar vitin e kaluar, klubi beson tek ai dhe trajneri Eddie Howe nuk dëshiron të privohet nga italiani.
Sidomos tani që Tonali po gjen mirëkuptimin më të mirë me kolegët e mesfushës, Bruno Guimaraes dhe Joelinton. Jo vetëm dy golat në Kupën e Ligës kundër Brentford, por seria e paraqitjeve të fundit (katër nga pesë ndeshjet si titullar), të lënë të kuptosh se Newcastle nuk do e lërë të lirë italianin pa shumën e duhur, edhe nëse ai kërkon një rikthim në Serie A.