Michele Di Gregorio largohet nga Juventusi. Pas dy vitesh me fanellën bardhezi, ish-portieri i Monzës largohet zyrtarisht nga Torino për t’u transferuar në Premier League te Bournemouth.

Në faqen zyrtare të Juventusit thuhet: “Michele Di Gregorio përshëndet Juventusin pas dy sezonesh me fanellën bardhezi. Ai iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2024 dhe debutoi më 19 gusht, në fitoren 3-0 ndaj Comos në Allianz Stadium. Michele Di Gregorio zhvilloi gjithsej 84 ndeshje me Juventusin në të gjitha kompeticionet. Tani, për Michele, nis një etapë e re e karrierës së tij në Angli. Suksese, Michele!”

Juventusi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me AFC Bournemouth për huazimin e Di Gregorios deri më 30 qershor 2027, kundrejt një pagese prej 1.3 milionë eurosh. Kjo shumë mund të rritet edhe me 500 mijë euro, në varësi të arritjes së objektivave të caktuara sportive.

Marrëveshja i jep gjithashtu Bournemouthit mundësinë për ta blerë përfundimisht portierin për 12.7 milionë euro, të pagueshme në tre vite financiare. Kjo shumë mund të rritet me maksimumi 1.5 milionë euro, në varësi të objektivave sportive.

Përveç Di Gregorios, edhe Mattia Perin do të largohet nga Juventusi gjatë kësaj merkatoje. Portieri bardhezi ka vendosur të pranojë ofertën ambicioze të Palermos dhe është gati të nisë një aventurë të re.

Gjatë ditës, Perin do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore në Verona, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Palermos, ku pritet të mbërrijë në mbrëmje.

Në vend të tij, Juventusi ka mbyllur tashmë marrëveshjen për Kamil Grabara, portierin e Wolfsburgut. Operacioni parashikon huazim me të drejtë blerjeje. Për portierin polak është parashikuar një kontratë deri në vitin 2027, me mundësi zgjatjeje deri në 2030 në rast se Juventusi vendos ta blejë përfundimisht.

Me ardhjen e Vicarios dhe Grabara, si dhe largimin e Di Gregorios dhe Perinit, Juventusi kompleton kështu revolucionin në repartin e portës. Në rolin e portierit të tretë konfirmohet Carlo Pinsoglio.