Juventusi ka siguruar sot një fitore bindëse 4-0 kundër Pisas në ndeshjen e raundit të 28-të të Serie A, duke marrë tri pikë të rëndësishme pas një paraqitjeje shumë të fortë në fraksionin e dytë.
Pjesa e parë e takimit ishte relativisht e qetë, me pak raste të rrezikshme për shënim nga të dyja skuadrat. Momenti më i spikatur erdhi në minutën e 39-të, kur mesfushori i Pisas, Marius Marin, u ndëshkua me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të ashpër. Ekipet shkuan në pushim me rezultatin e bardhë 0-0.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Në minutën e 54-t, mbrojtësi i bardhezinjve, Andrea Cambiaso, zhbllokoi rezultatin me një goditje me kokë nga pranë portës, pas një krosimi të saktë nga talenti turk Kenan Yildiz. Vetëm pak minuta më vonë, Juventusi shënoi golin e dytë kur Manuel Locatelli goditi fuqishëm nga brenda zonës, por topi u përplas në shtyllë. Khephren Thuram reagoi mirë pas topit të kthyer në zonë dhe e dërgoi atë në rrjetë për rezultatin 2-0.
Dominimi i Juventusit vazhdoi edhe më tej. Në minutën e 75-të, Francisco Conceiçao asistoi bukur për Kenan Yildiz, i cili brenda zonës tregoi qetësi dhe realizoi për 3-0. Goditjen përfundimtare miqve ua dha Jeremie Boga në minutën e 93-të, duke vulosur fitoren e thellë 4-0 për Juventusin.
Me këtë triumf, Juventusi ngjitet në kuotën e 50 pikëve dhe aktualisht mban vendin e gjashtë në tabelën e Serie A, duke marrë fitoren pas katër ndeshjeve. Asnjë minutë për Edon Zhegrovën nga trajneri Spalletti.
Komente








