Ndërkaq, me vendim qeverie janë liruar nga detyra disa anëtare dhe janë emëruar disa të tjerë në bordin mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
Me ardhjen e stinës së dimrit me vendim të Këshillit të Ministrave është bërë edhe rishpërndarja e fondeve brenda buxhetit të ministrisë së Bujqësisë, dhe ka si si qëllim vënien në dispozicion të Bordeve të Kullimit një fond prej 85.5 milion lekë, për likuidimet e energjisë elektrike të hidrovoreve, të papaguara për vitet e kaluara dhe për vitin 2013.
Po kështu, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë është marrë vendim për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë këshill.
PROJEKTLIGJ:
1. Për një ndryshim në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar.
Projektligji ka për qëllim shtyrjen për një periudhë 2 vjeçare të afatit ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë, i cili nga data 31 dhjetor 2013, që është aktualisht, propozohet të përfundojë më 31 dhjetor 2015.
VENDIME:
1. Për lirimin nga detyra të anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, të emëruar në kundërshtim me ligjin.
2. Për lirimin dhe emërimin në detyrë të disa anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
Vendimi synon ndryshimin nominal të përbërjes së bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, për arsye se anëtarët aktualë nuk janë më pjesë e institucioneve qendrore edhe për shkak të ndryshimit të institucioneve të përzgjedhura për t’u përfaqësuar në këtë bord.
3. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar.
Ndryshimet me këtë vendim synojnë përmirësimin e disa prej elementëve që lidhen me organizimin dhe kategorizimin e personelit të administratës doganore, përshkrimin e punës për pozicione të veçanta, kriteret e përzgjedhjes për to, si dhe procedimin disiplinor të tyre.
4. Për një ndryshim në vendimin nr.874, datë 12.8.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike të Ekspertëve Kontabël, të Regjistruar”.
Me këtë vendim propozohet riformulimi i njërit prej kritereve që duhet të plotësojë anëtari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, që vjen nga radhët e ekspertëve kontabël të regjistruar, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, në ushtrimin detyrës.
5. Për një ndryshim në vendimin nr.36, datë 16.1.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.
Vendimi propozon ndryshimin e përbërjes nominale të bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi anëtarët aktualë nuk janë më pjesë e institucioneve që përfaqësohen në këtë bord dhe për shkak të ndryshimit të kritereve të caktimit të anëtarëve të bordit.
6. Për lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për vazhdimin e procedurave të prokurimit për disa objekte të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
Vendimi ka për qëllim lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për vazhdimin e kryerjes së procedurave të prokurimit, për disa objekte të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
7. Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë këshill.
Vendimi propozon caktimin e shtatë ministrave si anëtarë të Këshillit Kombëtar të Punësimit, që do të përfaqësojnë Këshillin e Ministrave, në këshill, në përputhje me prioritetet e programit të qeverisë dhe në konsultim me partnerët socialë.
8. Për disa ndryshime në vendimin nr.1269, datë 17. 9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
Vendimi ka si qëllim riorganizimin e Sekretariatit teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës, duke e përfshirë atë si njësi në përbërje të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe anëtarët e këtij komisioni do të jenë me statusin e nëpunësit civil.
9. Për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Rishpërndarja e fondeve brenda buxhetit të ministrisë ka si qëllim vënien në dispozicion të Bordeve të Kullimit një fond prej 85.5 milion lekë, për likuidimet e energjisë elektrike të hidrovoreve, të papaguara për vitet e kaluara dhe për vitin 2013.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)