TIRANE- Ligji i vitit 2010 “Për artin dhe kulturën” ka pësuar disa ndryshime. Këshilli i Ministriave ka miratuar sot projektligjin që parashikon disa shtesa dhe ndryshime në këtë ligj. Një nga nenet e ndryshuara ështe ai për financimin e projekteve dhe veprimtarive artistike e kulturore.
 
“Ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën, nga fondi buxhetor i miratuar për çdo vit, financon:
a) projekte të paraqitura nga persona fizikë, juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre artin dhe kulturën;
 
b) projekte dhe veprimtari artistike e kulturore, të cilat konsiderohen të rëndësisë së veçantë dhe që kanë një buxhet që arrin mbi 40 për qind të fondit vjetor për projekte.
Ky fond nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik”, thuhet në projektligj.
 
Po kështu, ndryshime ka edhe pjesa e miratimit të veprimtarive artistike e kulturore, të cilat bëhen nga ministri përgjegjës për artin dhe kulturën, me propozimin e kolegjiumit.
 
Sipas projektligjit “ kolegjiumi përbëhet nga: a) personalitete të gjinive të ndryshme të artit, të përcaktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën;
b) nëpunës civile të nivelit të lartë dhe të mesëm, drejtues të strukturave përgjegjëse që mbulojnë secilën nga gjinitë e artit në ministrinë përgjegjëse për artin dhe kulturën”.
 
Ndërkaq, në projektligjin për “Artin dhe kulturën” përcaktohen edhe kompetencat e kolegjiumit.
 
“a) Përzgjedh dhe klasifikon projektet e artit nga pikëpamja e vlerave artistike, kulturore, edukative sociale dhe ekonomike;
 
b) Miraton veprimtari artistike-kulturore për artin dhe kulturën, në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 26, të këtij ligji.
 
c) Nxit krijimtarinë artistike kombëtare dhe i propozon ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën organizimin e konkurseve kombëtare dhe skema të tjera vlerësimi në gjini të ndryshme të artit”, thuhet në projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)