TIRANE - Këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranës, kanë akuzuar dje kreun e bashkisë, Lulzim Basha se u hoqi të drejtën romëve të mblidhnin mbetje të riciklueshme, me qëllim për të favorizuar një kompani, e cila vetëm para pak kohësh është regjistruar pranë QKR-së.

"Monopoli i mbetjeve, si një strukturë e tipit mafioz është ndërtuar tashmë në Tiranë. Zoti Basha, duhet t'u përgjigjet qytetarëve të Tiranës, cila është firma që mbrohet natë e ditë nga uniformat e bashkisë? Cili është pronari i vetëm që kontrollon këtë biznes, duke goditur shtresat që jetojnë në varfëri të thellë? A e ka lejen mjedisore? Ministria e Mjedisit të japë përgjigje për këtë çështje", - ka deklaruar gjatë një dalje publike për mediat, Aldrin Dalipi, kreu i këshilltarëve socialistë në bashki.

Sipas Dalipit, bashkia e Tiranës i ka dhënë kësaj kompanie, pas të cilës nuk dihet kush fshihet,të drejtën të shfrytëzojë mbeturinat që nëpërmjet firmave të pastrimit i depoziton në Sharrë.

Këshilltarët kërkojnë shpjegime se përse është dhënë pa tender shfrytëzimi i mbetjeve, pasi në treg ka dhjetëra kompani biznesi riciklimi dhe mbi të gjitha një kompanie pa leje mjedisore.

(Gre.M/Shqiptarja.com)