TIRANE - Në Kosovë e kanë pritur mirë zgjedhjen e një përfaqësuesi të tyre si këshilltar të kryeministrit të Shqipërisë për rajonin, duke e cilësuar si vlerësim. Por kanë ndarë mendime të ndryshme lidhur me emrin e përzgjedhur, Shkelzen Maliqi. Komentuesit e blogjeve të faqeve kryesore në Kosovë, vlerësojnë Ramën duke thënë se ai është duke bërë diçka reale për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë. I vetmi kontestim për vendimin e Ramës ka të bëjë me emrin që ka zgjedhur si këshilltar. Edhe pse ka vlerësime për Maliqin, një pjesë e mirë e komentuesve s’kanë mendim të mirë për të.

“Vendim për ta përshëndetur”, shkruan një komentues. “Po çfarë vendimi i qëlluar?! Po ky është nihilist i përbetuar dhe kurrë nuk vjen te qëllimi kur debaton për diçka! Po ky eshte inkompetent dhe i paditur të jetë këshilltar. Edi, keni bërë zgjidhje te gabuar”, shkruan një tjetër. “Tek ja ka dhënë Hashimi hua tash ky e fut Shqipërinë në bisedime me Greqinë për jugun. Ky si këshilltar i Hashimit e pat futë Hashën në bisedime për veriun. UD-bash i fortë është ky”, shkruan një tjetër komentues. “Bravo Rama, bravo Maliqi, suksese”.

“Shumë urime dhe përgëzime z.Rama. Me sa di unë, është rasti i parë që qeveritarët e Shqipërisë e thërrasin në ndihmë një ekspert nga Kosova. Populli s’mund të jetë gabim. E dinë shqiptarët pse kanë bërë ndryshime. Hap i vogël në udhëtimin e gjatë në shpërfilljen e kufirit që e kanë vënë pushtuesit”, thotë një komentues tjetër.

“Përgëzime zoti kryeministër Rama. Ja ke nis për së mbari, kështu duhet të veprohet dhe Tirana zyrtare duhet të vetët për gjthçka çka duhet të ketë më shumë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, në një zyrë të qeverisë së Tiranës”, shkruan një nga komentuesit. “Z.Rama, ne kosovarët jemi mësu vetë me fjalë e rrena të Berishës e premtime të boshta, ndërsa ti bën vepra pa shumë fjalë. Është një gjest shumë i mirë që në kabinetin tënd ndodhet një kosovar, edhe pse unë nuk di shumë për të, por idea është shumë e mirë”, shkruan një komentues në një blog tjetër.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)