Për të 6-in vit radhazi në Krutje të Lushnjës u mbajt festivali "Kabaja Myzeqare", një mbrëmje kushtuar folklorit.
Grupet e sazeve popullore nga Lushnja, Divjaka, Fieri, Berati, Kuçova, Dimali dhe Belshi performuan pjesë nga gurra popullore e trevës së Myzeqesë trashëgimi kulturore prej shekujsh.
Udhëheqësi artistik i këtij festivali Albert Kajno, kishte një thirrje të veçantë që të rinjtë të ruajnë vlerat e folklorit Myzeqar.
“Ta përçojnë traditën tonë, por edhe muzikën folk ta ruajnë sepse është duke humbur. Megjithatë shoh që ka interes të lartë edhe nga të rinjtë, edhe kërkesa. I aplikojnë këto muzikat tonë popullore”, tha Albert Kajno, udhëheqës artistik i festivalit.
Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa u ndal te performanca e valles dyshe Myzeqare, e shpallur si një nga monumentet kulturore jomateriale.
“Kënaqësia më e madhe ishte grupi i Lushnjes që përfaqësohet nga asambli Vaçe Zela, sot përformoi vallen Myzeqare, të cilën ne kemi arritur ta fusim të monumentet kulturore jomateriale. Shpresojmë shumë që më pas do të kemi mundësi ta promovojmë edhe drejt UNESCOS”, tha kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.
Vendin e parë e zuri grupi i sazeve Krutje, vendin e dytë grupi i sazeve Seman Fier dhe vendin e tretë Kozare Dimal.
Komente






