Kabuli nën sulm, goditen
parlamenti, NATO, ambasadat

Kabuli nën sulm, goditen <br />parlamenti, NATO, ambasadat
KABUL – Kryeqyteti afgan u trondit sot nga shpërthime dhe shkëmbime të shumta zjarri, teksa forcat e sigurisë janë vënë përballë sulmeve nga grupe talebane në zonat qendrore të qytetit.
Disa ambasada janë goditur me raketa RGP, por nuk ka pasur asnjë të lënduar mes diplomatëve, që janë futur në bodrume sapo ka rënë alarmi.

I sulmuar edhe parlamenti si edhe shtabi i NATO-s. Kanë qenë shtatë pika në kryeqytet ku ka nisur thuajse njëkohësisht sulmi i koordinuar i talebanëve. Një grup nga sulmuesit mbajti nën kontroll për disa orë hotelin Kabul Star, në qendër të qytetit.

Sulme ka pasur edhe në qytete të tjera të Afganistanit. Një zëdhënës taleban tha se kjo ishte nisja e ofensivës së pranverës.



ORA 15:55 DISA KRYENGRITES VAZHDOJNE REZISTENCEN
Pas një periudhe qetësie, rikthehen të shtënat dhe shpërthimet në Kabul, sipas raportimeve në twitter të gazetarëve të ndryshëm në qytet.
Ministria e brendshme thotë se janë vrarë 4 nga sulmuesit dhe janë plagosur 11 policë. Nuk ka të dhëna për viktima mes civilëve.
Po sipas burimeve policore afgane, 2-3 kryengritës janë ende duke rezistuar dhe forcat policore po përpiqen t’i japin fund operacionit para se të bjerë errësira.


Ora 15:12 QETESOHET SITUATA NE KABUL
Pas 4 orësh kaosi, të shtënash dhe shpërthimesh, duket se po rikthehet qetësia në Kabul. Njoftime të ndryshme gazetarësh në twitter raportojnë se disa prej rrugëve të bllokuara po hapen nga policia, ndërkohë që ka rënë qetësia në zonën e ambasadave.
Shërbimet inteligjente afgane thanë se kanë të dhëna se pas sulmeve qëndron rrjeti Hakani, një grup tribal ky, i angazhuar dhe më parë në sulme të tilla dhe i përfolur për lidhje me shërbimet pakistaneze.


ORA 14:57 TRUPAT NATO S’KANE PESUAR HUMBJE
Qendra e medias e trupave të misionit të NATO-s në Afganistan, ISAF, njofton në twitter se trupat e huaja në Afganistan nuk kanë pësuar deri tani asnjë humbje nga sulmet e koordinuara talebane në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë kryeqytetin Kabul.
Ndërkohë, ministria e brendshme afgane thotë se janë 4 policë dhe një ushtar afgan të plagosur dhe se në Kabul forcat e sigurisë kanë vrarë deri tani 3 sulmues.


ORA 14:37 VAZHDON BETEJA NE KABUL
Vazhdojnë shkëmbimet e zjarrit në pjesë të ndryshme të Kabulit, ndërkohë është goditur me tre raketa edhe ambasada japoneze, askush nga personeli nuk është plagosur.
Burime spitalore në Kabul thonë se ka 5 të plagosur mes policëve dhe ushtarëve afganë.
Policia dhe ushtria afgane janë deri tani duke e përballuar të vetëm sulmin taleban, ndërkohë që qendra e komunikimeve për media e ISAF tha se trupat e NATO-s janë të gatshme të ndërhyjnë vetëm nëse paraqitet nevoja.
Sulmet talebane janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit si në Helmand dhe Herat.


ORA 13:40 SULMOHEN AMBASADA AMERIKANE DHE BRITANIKE
Njoftimet e fundit nga Kabuli flasin për vazhdim të shkëmbimit të zjarrit pranë dhe rreth ambasadës amerikane. Në tuiter, një dëshmitar po shkruan se raketat bien si shi mbi ambasadën britanike. Hoteli Kabul Star, i marrë nga talebanët, po shërben si bazë për goditjen e ambasadave me raketa RPG.
Gazetarja e Reuters në Kabul Ami Ferris-Rotman shkruan në tuiter: “Nëse ky është fillimi i ofensivës së pranverës, unë trembem të mendoj çfarë do vijë më pas”.


ORA 12:50 SULMUESIT MARRIN GODINA NE QENDER

CNN njofton se talebanët që po kryejnë sulmin në Kabul kanë marrë nën kontroll hotelin Kabul Star, në qendër të qytetit, shumë pranë misionit të OKB-së dhe pallatit presidencial.

(ep/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje