Komuna e Rahovecit në një ceremoni rasti i ka nderuar me dekoratën ‘Ukshin Hoti’ shkrimtarit tonë të shquar Ismaili Kadare. Aty, Kadare kujtoi komunikimet e tij me Ukshin Hotin, derisa ky i fundit ishte në burg. Ndërkohë, u tha se besimi i Ukshin Hotit te Evropa nuk duhet të humbasë tek të gjithë në Kosovë.
“Unë e ruaj mendimin më të mirë për të. Ajo çka kemi folur dhe biseduar, i kemi shkruar njëri-tjetrit nëpër letra, mbetet madhore. Duke i rikujtuar tani, e kuptoj se sa pasuruese ishin këto biseda me të, për atë dhe mua. Natyrisht që ishte një gëzim i madh që i jepnim njëri-tjetrit. Ai e jepte këtë ndjesi me këdo që takohej. Me këtë gëzim që merrej prej tij dhe i kthehej atij, qarkullonte dhe bënte që mendimi për Kosovën, ëndrra për Kosovën të ishte e gjallë gjithmonë dhe të mos shkaktonte lodhje ose mërzi.”, tha Kadare në videomesazhin e tij.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi foli për kontributin dhe veprën e Ukshin Hotit, si dhe komunikimin në mes Hotit dhe shkrimtarit Kadare.
Bashkëshortja e Ismaili Kadare, shkrimtarja Helena Kadare e cila ishte e pranishme në ceremoni, tha se Ukshin Hoti është një njeri që besoi dhe luftoi për ide duke besuar në një forcë të jashtëzakonshme që është në shpirtin e këtij vendi të cilin historia e ka ndëshkuar vazhdimisht.
Ajo shtoi se gjithë veprimtaria e Ukshin Hoti janë një testament i rëndësishëm mbi të cilin duhet të vijojë puna për Kosovën demokratike që sheh drejt Evropës.
Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosovës iu është imponuar lufta dhe shumica e këtyre plagëve nuk njihen nga aleatët tanë e lere më nga ata që i kanë shkaktuar, mirëpo njerëzit e Kosovës duhet ta gjejnë fuqinë e pajtimit dhe të jetojnë në paqe, duke mos harruar.
Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, ‘Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe djali i veprimtarit të Ukshin Hotit, Andin Hotit.
Përndryshe përpara kësaj ceremonie, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së atdhetarit Ukshin Hoti, është përuruar kompleksit kulturor-historik në Krushë të Madhe.