TIRANE- …Sikur të mos mjaftonte shija e keqe e Rambujesë, pakti i parë kur Kosova u gjet përballë kontinentit të saj europian, gabimet vazhduan. Më i pafalshmi i tyre do të mbetej gjithmonë heshtimi për krimet. Zëra të vetmuar aty këtu vazhdonin të ngulnin këmbë për thyerjen e heshtjes, por ithtarët e kësaj të fundit u treguan më të zellshëm. Dhe vazhdonte kthimi kryengulth i gjërave: ishin prapë serbët që dëboheshin prej shqiptarëve, që shkrumboheshin, poshtëroheshin e pësonin përdhunimin. Për këtë të fundit, u bë e njëjta përmbysje, dhe gati sa nuk u tha se jo vetëm gratë dhe vajzat shqiptare nuk u prekën prej askujt, por ishin ndoshta ato vetë që dhunonin ushtarët e vritytshëm serbë.