Me energji pozitive dhe një sallë të mbushur plot me spektatorë, është pritur premiera e shfaqjes “Kaini dhe Abeli-Të bijtë e Adamit” në skenën e Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
“Jam shumë i lumtur që në premierën e “Kainit dhe Abelit” salla ishte plot, publiku ishte edhe në shkallë. U prit shumë mirë, ishte një energji e mirë. Aktorët duket që e shijuan, sepse në fund të fundit teatri bëhet për ta shijuar dhe për të transmetuar diçka.”, thotë regjisori Rafael Hoxhaj për “Report TV”.
Një vepër që sjell në skenë dramën e parë të njerëzimit, përmes një këndvështrimi bashkëkohor, me regji nga Rafael Hoxhaj dhe dramaturgji nga Bujar Hoxhaj, shfaqja ngre një pyetje thelbësore: çfarë ndodh kur Kaini rikthehet për t’u përballur me krimin e tij?
I sjellë nga Ferri për të dhënë llogari, Kaini rrëfen historinë e vëllavrasjes, ndërsa përballet me gjyqin më të ashpër: atë të ndërgjegjes. Një rrëfim që nuk ndalet vetëm te miti biblik, por reflekton mbi dhunën dhe konfliktet e kohës moderne.
“Vetë tematika Kain dhe Abel na bën të kuptojnë që ne nuk kemi dashur të jemi neglizhentë ndaj situatës së sotme. Mes këtij gjenocidi, mes këtyre vrasjeve, luftrave botërore që janë gati të fillojnë dhe po vriten me mijëra, me qindra dhe miliona njerëz. Pothuajse çdo ditë ka të vrarë dhe ne vendosëm që ta vendosim këtë vepër mbi këtë tapetin e kuq me ngjyrën e gjakut dhe të bërtasim dhe të themi që vrasja e parë mund të jetë gjithmonë e fundit në qoftë se dikush nuk fillon edhe njëherë ciklin nga e para.”, shton regjisori.
E frymëzuar nga universet e Andrea Camilleri dhe Jose Saramago, kjo shfaqje vjen si një hetim teatral mbi origjinën e dhunës njerëzore. Një thirrje për reflektim, që lë të hapur pyetjen: a do të ekzistonte vrasja, nëse Kaini nuk do ta kishte vrarë Abelin
Shfaqja vjen me një kast të ri aktorësh, me skenografi të Beqo Nanaj, kostumografi nga Sofi Kara dhe maskat nga Reina Ndreu.
Komente












