EGJIPT - Kanë vijuar edhe sot protesta në Kajro e mbështetësve pro-Morsit. Ata kanë nisur të protestojnë pas faljes së namazit dhe më pas janë mbledhur përpara selisë presidenciale dhe asaj qeveritare. Por janë vrarë edhe 38 prej tyre pas sulmit për lirimin e 45 të burgosurve gjatë transferimit të tyre. 

ORA 20:15 - VRITEN 38 VËLLEZËR MYSLIMANË PAS SULMIT PËR LIRIMIN E TË BURGOSURVE
Forcat egjiptiane të sigurisë bëjnë të ditur se të paktën 38 Vëllezër myslimanë janë vrarë: agjentët kanë ndërhyrë pas sulmit të një grupi të opozitarëve ndaj një karvani, i cili ishte duke transferuar në burg 45 mbështetës të Morsit, të arrestuar. Ministria bën të ditur se policia ka hapur zjarr për të shmangur një përpjekje për t’u arratisur. Incidenti ndodhi në Kaliubeya, në deltën e Nilit, në veri të Kajros.

ORA 19:25 - DEMONSTRUESIT PËRPARA PRESIDENCËS DHE QEVERISË
Qindra demonstrues mblidhen në sheshin Roxy, në fare pak distancë nga pallati presidencial egjiptian në Heliopolis. Selia e qeverisë është blinduar nga forcat ushtarake. Lajmërohet prania e të rinjve anti-Morsi, të armatosur me shkopinj. Mbështetësit e presidentit parakalojnë me krahë të ngritura lart dhe numrin 4 si shenjë e duarve: është ky simboli i Rabaa, siti i Vëllezërve Myslimanë, i shkatërruar nga forcat e armatosura të mërkurën në Kajro.
 
ORA 17:30 - PRO-MORSËT, MANIFESTIME PAS NAMAZIT
Një valë manifestuesish pro-Morsi, megjithë lajmit të anulimit të protestave, shpallur nga disa zëdhënës - filloi menjëherë manifestimin pas përfundimit të namazit në xhaminë el Raia, jo shumë larg nga selia e  Gjykatës së Lartë, ku ishte planifikuar protesta e dytë e Vëllazërisë Myslimane në Kajro.
 
Mbetet tepër i lartë tensioni në Kajro pas përleshjeve në ditët e fundit dhe dëbimit të djeshëm nga xhamia Fatah, e pushtuar nga pro-Morsët.
 
Janë 404 mbështetësit e presidentit të rrëzuar Morsi, të arrestuar pas përleshjeve të premten në Sheshin e Ramsesit, të akuzuar zyrtarisht për vrasje. Qeveria njoftoi krijimin e një komisioni hetimor në lidhje me ngjarjet pas 30 qershorit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)