TIRANË - Analisti dhe aktivisti i shoqërisë civile, Blendi Kajsiu ka qenë sot në mbrëmje i ftuar në studion e "A1 Report" për të diskutuar me moderatoren, Mira Kazhani mbi vendimet e para të qeverisë "Rama" si: ligjin e mbetjeve, vendosja në institucione e fotos së Ismail Qemalit, si dhe mbi integrimin e Shqipërisë në BE.

QEVERIA KA ELIMINUAR NJË NEN, ATË TË IMPORTIT TË MBETJEVE DHE KA NDRYSHUAR DY, TË PRESIM KUVENDIN
Kajsiu ka përgëzuar vendimin për heqjen e importit të mbetjeve: “Duke pasur parasysh kapacitetet e pakta kontrolluese të vendit, importi mund të krijonte terren për abuzime, për lulëzimin e krimit të organizuar”. Megjithatë, pa u zbardhur vendimi Kajsiu është shprehur se "ne flasim në ajër".

"Nga sa kam parë në media, nga çfarë dëgjova ministrin e Mjedisit sot, nga informacionet informale që kam pasur me aktivistë të tjerë nuk kemi të bëjmë me VKM, por me ndërhyrje në ligj. Ajo që qeveria ka bërë është ndryshimi në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili ndryshon dy nene dhe eliminon një nen; atë që lejon importin. Më pas ky do kalojë në komisione parlamentare dhe në Kuvend. Shpresojmë që aty mos ketë ndërhyrje problematike e më pas mund të flasim për një ligj që ndalon mbetjet".
 
Kajsiu ka kujtuar se PD ka qenë kundër importit të mbetjeve dikur. "PD dhe Berisha thotë se PS është mafioze. Nëse PD mendon se qeveria e majtë është mafioze, atëherë le të pengojë importin".
 
HEQJA E FOTOS SË NISHANIT KA SFOND POLITIK
"Nuk e kam ndjekur debatin në thellësi. Nuk kam ekspertizë në fushën e fotografive. Por midis Ismail Qemalit dhe çdo presidenti dihet se figura e Ismail Qemalit është më madhore, pasi është themeluesi i shtetit shqiptar. Në këtë situatë kemi mbivendosje hipokrizie", thotë Kajsiu mbi debatin për heqjen e fotos së Presidentit Nishani nga institucionet.

"Lëvizja e zotit Rama për heqjen e fotos së presidentit ka një sfond politik; ai është propozuar nga PD, që PS nuk e ka honepsur, e ka kundërshtuar si jokonsensual. Do s’do Rama, është lëvizje politike".

"Presidenti, i cili sado që përpiqet të flasë si i pavarur, është një ish-ministër i PD, i propozuar nga Berisha dhe nuk e mbush dot atë boshllëkun se nuk është zgjedhur nga dy palët, siç ishte Moisiu".  

PROGRAMI I RAMËS, EDHE MË I MAJTË, ROL MË I MADH I SHTETIT
Mbi programin e qeverisë Rama, Kajsiu ka theksuar se është një program më majtas, sepse ka rol më të madh shtetit dhe më pak të tregut.
 
Në nivel konceptual ne në komunizëm ishim në ekstrem; “shteti gjithçka, tregu asgjë”. Kur ra komunizmi nga urrejtja për shtetin u kthye në: “tregu gjithçka, shteti asgjë”, analizoi Kajsiu. Ai kujtoi se, qytetarët shqiptarë me ardhjen e PD në pushtet në 2005, panë fenomenet e kapjes së shtetit, të njëjtat e qeverisë së para 2005-ës.
 
"Nuk mendoj se çdo privatizim ka qenë i keq, apo i mirë. Qasja e qeverisë shqiptare ka qenë; të dhemb një sy hiqe, dmth ke probleme me një ndërmarrje: privatizoje! Rasti i privatizimit të CEZ tregoi se jo vetëm që s’e ka përmirësuar performancën, por është bërë më keq. Shteti duhet të ruajë disa sektorë strategjikë si: minierat, energjia, uji. Ka gjëra që s’duhen trajtuar si mall", ka propozuar Kajsiu.
 
I pyetur mbi mundësinë e realizimit të shëndetësisë dhe arsimit falas Kajsiu ka pohuar se "këto nuk janë demagogji; mbetet të shihet si do sigurohen mjetet".

MUNGON STRATEGJIA E ZHVILLIMIT INDUSTRIAL
"Mungon një strategji afatgjatë e zhvillimit industrial. Çfarë prodhojmë si shtet, pozicioni ynë në tregun global, çfarë do shesim, tregtojmë? Duhet strategji afatgjatë të theksojë shtetin si faktor zhvillimor. Edhe Banka Botërore thotë se nuk orientojmë zhvillimin. Zhvillimin e orienton tregu. Shteti është faktor orientiv në zhvillimin e tregut. Shpesh shteti ka gabuar. Por është aktor i domosdoshëm. Shqipëria nuk ka një politikë industriale", thekson Kajsiu.
 
Ai ka shtuar se "shihej industria e mbetjeve si mundësi zhvillimi, por Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke përpunuar mbetjet, se janë të rrezikshme, me shumë kosto për mjedisin dhe mund të mos prodhojnë ato vende pune, siç pretendohet".

INTEGRIMI NË EUROPË NIS BRENDA NESH, BE NDIHMUESE, POR S'BËN ZHVILLIMIN
"Nuk do na zhvillojë Europa. Zhvillim nis nga brenda. BE është ndihmuese, por s’e bën ajo zhvillimin. Para ne duhet të përcaktojmë cili është modeli i zhvillimit, cilët sektorë do zhvillohen. Pastaj negociojmë me Europën, që kemi këto prioritete. Por ne presim, që edhe prioritetet të na i përcaktojë Europa", vërejti Kajsiu.

Redaksi Online
(mag/shqiptarja.com)




vijon