Policia Kufitare në Kakavije ka arrestuar në nga shoferët e autobusit Athinë-Tiranë dhe ka nisur hetimit për shoferin tjetër, pasi akuzohen se kanë tentuar që të fusin mallra kontrabandë në vendin tonë.

Policia bën me dije se janë sekuestruar dhjetëra çanta me veshje, valixhe me produkte kozmetike dhe disa kuti me pjesë këmbimi për automjete, të cialt dy shoferët nuk i kishin deklaruar.

Dy shoferët do të akuzohen për veprën penale "Kontrabanda me mallra të tjera".

“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije në bashkëpunim me shërbimet doganore në Pikën Doganore Kakavije , në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, autobusin e linjës Athinë-Tiranë.

Gjatë kontrollit kanë konstatuar mallra të dyshuara kontraband, dhe për këtë fakt 2 drejtuesit e autobusit u shoqëruan në ambientet e Policisë për verifikim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në autobus Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale dhjetëra çanta me veshje, valixhe me produkte kozmetike dhe disa kuti me pjesë këmbimi për automjete, të cilat nuk i kishin deklaruar konform ligjit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër arrestuan shtetasin M. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, (shoferët e autobusit), për veprën penale "Kontrabanda me mallra të tjera", parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal”. thuhet në njoftimin e policisë.