Punimet në Kalanë e Borshit vijojnë në një ritëm që synon t’i japë një jetë të re këtij monumenti historik, duke përmirësuar njëkohësisht edhe përvojën e vizitorëve.

Lajmin e konfirmoi Ministri Blendi Gonxhja. Sipas tij, ndërhyrja e rëndësishme që po kryhet do të ruajë vlerat historike të kalasë, duke e kthyer atë në një destinacion më të aksesueshëm dhe të organizuar.

Projekti në fjalë financohet nga Banka Botërore, ndërsa zbatimi i tij po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, IKTK dhe Bashkinë Himarë.

Përmes një postimi në Facebook, Gonxhja bëri me dije se ndërhyrja përfshin konservimin dhe stabilizimin e strukturave ekzistuese, restaurimin e xhamisë brenda kalasë, si dhe ndërtimin e elementëve të rinj arkitektonikë.

Po ashtu, projekti parashikon vendosjen e paneleve interpretuese për vizitorët, krijimin e një platforme vëzhgimi dhe ndriçim artistik, që pritet ta bëjnë kalanë më tërheqëse sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.

Sipas ministrit, pas përfundimit të punimeve, Kalaja e Borshit do të hapet për herë të parë si një sit i mirëfilltë muzeal me biletë hyrëse, duke u kthyer në një destinacion të strukturuar turistik.

Kalaja e Borshit ndodhet në një kodër të gjelbëruar mbi fshatin dhe bregdetin e Borshit, në Rivierën Shqiptare. E ndërtuar që në periudhën antike, dhe e rindërtuar gjatë periudhës bizantine dhe otomane, kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike për kontrollin e rrugëve tregtare dhe mbrojtjen e zonës.

Muret e kalasë rrethojnë një sipërfaqe të madhe, dhe brenda saj gjenden rrënoja historike, përfshirë një xhami osmane. Kalaja ofron një pamje panoramike të mrekullueshme mbi detin Jon dhe fushën e Borshit, duke e bërë atë një vend tërheqës për vizitorët që duan të ndërthurin natyrën me historinë.

Postimi i plotë i Ministrit Gonxhja 

"Vijojnë punimet për një ndërhyrje të rëndësishme që do t’i japë jetë të re këtij monumenti historik, duke ruajtur historinë dhe duke përmirësuar përvojën e vizitorëve. Projekti, i financuar nga Banka Botërore dhe i implementuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, IKTK dhe Bashkinë Himarë, parashikon konservimin dhe stabilizimin e strukturave, restaurimin e xhamisë brenda kalasë, si edhe krijimin e elementëve të rinj arkitektonikë, paneleve interpretuese, platformës së vëzhgimit dhe ndriçimit artistik. Pas përfundimit të punimeve, Kalaja e Borshit do të hapet si sit i ri muzeal me biletë hyrëse, duke u kthyer për herë të parë në një destinacion të mirëstrukturuar për vizitorët"