Kalaja shekullore e Prezës në kantier, gratë në krye të restaurimit: E gjetëm të dëmtuar, sprovat për të ruajtur identitetin e saj, kërkuam për trarë e gurë shtufi me banorët e zonës

Dielli është ngritur mbi Prezë, e trokitjet e çekiçit në gur, dëgjohen që në hyrje të Kalasë mesjetare... Në kurrizin e një shkëmbi shtufor, të Tiranës së vogël, dy gra përpiqen të ‘fashojnë plagët’ e Monumentit të Kulturës. Rrjedha e Historisë, ndërhyrjet ndër vite, e së fundmi dëmtimi i fortë i tërmetit të 2019-ës, e kanë bërë edhe më të vështirë restaurimin e Kalasë së Prezës. E megjithatë, arkitektja Jora Kasapi e fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB)dhe teknikja e ndërtimit Myrvete Hysenaj, prej 2 prillit të 2021 kanë qenë çdo ditë në krye të punës...

Myrvete ka punuar në këtë sektor prej fund viteve ‘80, por tregon se restaurimi i objekteve të tilla të lashta është nga më të vështirët. Ajo mbikëqyr punën e 15 punonjësve burra. E, teksa ngjisim shkallët e Kullës së Sahatit ende në kantier, pas ndërhyrjeve në kolona, çati e këndin lindor të saj, na tregon se çdo ditë takon njerëz që pyesin se kur do të mbarojnë punimet. “Edhe pak!” u përgjigjet , gati e çliruar. Pas përfundimit të murit të ndërmjetëm fortifikues, si Kulla e Sahatit ashtu dhe Kulla Rrethore janë në fazën e fundit të restaurimit.  Si bijë tironse, thotë se pret me padurim, finalizimin me sukses të punës, që gjatë verës të vijë në Kala si vizitore.

“Kemi pasur shumë vështirësi me thënë të drejtën, kjo kullë ka qenë shumë e dëmtuar, ka qenë e çarë”, tregon Myrvetja.

Në majën e Kullës vrojtuese të Sahatit që është edhe objekti më simbolik i kësaj Kalaje, Myrvete na tregon nga afër punën që kanë ndër duar...

“Ne aktualisht po ndërtojmë kolonat. Po bëjmë ndërtimin e kolonave dhe nivelimin e tyre deri në kuotën që do të filloj vendosja e trarëve për çatinë”, shton teknikja e ndërtimit.

Janë përpjekur t’i përshtaten materialit origjinal, në çdo element të ridërtimit.

“Tratrët i kemi marrë në një shtëpi shumë të vjetër në Ishëm. Kishin gati 100 vjet në çatinë e asaj shtëpie, që ishte dëmtuar nga tërmeti. I zoti kishte rindërtuar shtëpinë e re por këto trarë kishin mbetur atje dhe ne i bëmë një lutje që t’i merrnim për Kalanë”, thotë Myrvete.

Njësoj si për trarët, për të ruajtur identitetin e monumentit disa prej gurëve të rrëzuar janë rivendosur. Ndërsa për të plotësuar mungesat, specialistët kanë kërkuar në shtëpitë e zonës përreth…

“Duke qenë se është një objekt, që është shembur nga një fatkeqësi natyrore qasja më e përshtatshme në raport me projekt restaurimin ishte rindërtimi i objektit për t’i dhënë identitetin e mëparshëm. Kështu që për të qenë sa më besnikë ndaj kësaj qasje duhet të përdornim  për rindërtimin e muraturës së re gurët e rrëzuar. Dhe në të njëjtën kohë, pjesa e materialit që nuk plotësohej, që isht dëmtuar nga ky rrëzim është zëvendësuar duke përdorur gurë të ngjashme që i kemi kërkuar në zonën e Prezës. Ne kemi arritur që të gjejmë disa shtëpi  që janë shembur gjatë tërmetit dhe kemi marrë gurin e tyre të shtufit që janë të ngjashme veçanërisht me Kullën e Sahatit që është më e vonë”, tregon arkitektja Jora Kasapi.

Në punën e udhëhequr nga arkitektja Jora Kasapi, banorët e Prezës kanë qenë bashkëpunëtorë, jo vetëm për ti shpënë në shtëpitë më të vjetra të zonës, por edhe për t’u rrëfyer gjithçka dinin rreth Kalasë së tyre.

“Banorët na  kanë ndihmuar jo vetëm për orientimin ,por edhe për arkivimin, se sado që ne i jemi referuar materialit arkivor historik në lidhje me fazat që ka kaluar objekti, disa elementë si ndërhyrjet që janë bërë mbeten të padokumentuara”, shton arkitektja.

Më tej punën e kanë marrë në dorë gurëskalitësit, të cilët i gjejmë në krye të detyrës, në hyrje të Kullës së Sahatit… Të armatosur me çelikë e daltë, mjeshtrit gdhendin me orë të tëra gurët e mbledhur…

Toka e rrëshqitshme në Kullën Rrethore, ua ka bërë punën edhe më të vështirë. Punonjësi i ndërtimit Agron Leca, rrëfen se për të përforcuar themelin u është dëshur të gërmojnë në më shumë se 2,8 m  thellësi.

 “Unë kam qenë që në fillim të Kullës rrethore kjo pjesë ka qenë e shembur komplet...” tregon ai.

Me zbatimin e projektit, siç rrëfen arkitektja situata vendoset nën kontroll edhe për lëkundjet sizmike që mund të ndodhin në të ardhmen.

“Besoj se situata do të jetë shumë e mirë tani me projektin se pjesë e projektit të Kullës Rrethore ka qenë edhe trajtimi i themelit të saj, duke përforcuar pak edhe terrenin rrotull. Kemi krijuar një sistem kontrafortash dhe tarracimesh për të mbajtur dhe terrenin, por edhe për të siguruar një mbështetje më të mirë të themelit të kullës rrethore në raport me shkëmbin dhe me terrenin ekzistues. Kjo sepse një problematikë tjetër që ka pasur ajo kullë ka qenë edhe mbështetja e Kullës në dy terrene të ndryshme. Pjesërisht në terren të butë dhe pjesërisht në terren shkëmbor që është dhe shkëmbi shtufit ku ngrihet Kalaja e Prezës . Këta faktorë së bashku me tërmetin kanë krijuar këtë kolaps”, vijon Kasapi.

Sefer Memoçi është një nga specialistët e ndërtimit që ka punuar në restaurimin e pjesës së brendshme të Kullës rrethore. Me afro 4 dekada në ndërtim e procese restaurimi, ndër të  cilat 15 vite në Itali ku ka punuar edhe me objekte të vjetra të trashëgimisë, thotë se përkushtimi në këtë detyre ka qenë i dyfishtë edhe si banor i zonës së Prezës.

Ndërsa arkitektja Jora na rrëfen më shumë edhe për ekspertët e tjerë të cilët janë përfshirë për garancinë e një pune cilësore.

“Ne që në fazën e parë të ideimit,  duke qenë se CHWB ALbania e ka projektuar pjesën e restaurimit, ne kemi një staf i cili bashkëpunon është i fokusuar në restaurim arkitekturë dhe bashkëpunojmë dhe me një staf të specializuar dhe inxhinieresh të profileve të ndryshme. Pjesa e qasjeve restauruese është bërë në konsultim me prof. Gjerak Karaiskaj, një nga personat më kompetentë përsa i përket kësaj tipologjie mesjetare. Dhe gjithashtu kemi bashkëpunuar dhe me inxhinierë, duke qenë se është ndërhyrje përforcuese riaftësuese nga pikëpamja strukturore. Kemi bashkëpunuar me inxhinierë që janë konstruktorë, por që janë edhe të profilizuar në objekte historik. Kemi krijuar përpiluar dhe  projektin e  përforcimit strukturor si të Kullës së Sahatit ashtu edhe të Kullës Rrethore”, shton arkitektja. 

Mendohet se Kalaja e Prezës mund të jetë ndërtuar nga Topiasit në fillim të shekullit të XV-të, por ka teza që e konsiderojnë më të hershme. Në dëshmi historike të kohës së Skënderbeut thuhet se ka qenë një kullë vrojtuese, e prej së cilës u dërgoheshin  mesazhe të ndryshme, përmes zjarrit a tingujve, rojtareve të Kalasë së Krujës për lëvizjet e osmanëve.

“Kalaja e Prezës është një objekt tipik fortifikim i periudhës së mesjetës feudale. Është ndërtuar me misionin për të pasur një funksion vrojtimi mbi rrugët kryesore ushtarake dhe ekonomike të zonës rrotull edhe gjithashtu edhe për të pasur nën kontroll dhe mbi mbikëqyrje dhe kryengritjet.  Nuk është ndër kalatë më të mëdha, por është një kala që ka një histori dhe daton prej një periudhe më të hershme. Ka shumë teorira nga viztitorë udhëtorë të ndryshme, datimi më i saktë mendohet të jetë ai i Barletit që e daton këtë kala nga fillimi i shekullit të XV-të”, shprehet Kasapi. 

 Kalaja ka një gjatësi prej 80 m dhe është e gjerë 50 m. Dera e bojatisur në blu të dikton sterrën e vetme të saj, çka bëhet një tregues më shumë që konfirmon se nuk është përdorur për banim. Ndërtimi i saj ka kaluar në 4 faza të ndryshme, ku  kulla e Sahatit mendohet të jetë ndërtuar në vitet 1800-1850. Ndërsa gojëdhënat thonë se për braktisjen e saj në kohën e Gjergj Kastriotit, shkas është bërë një tragjedi që ndodhi gjatë dasmës së  motrës së heroit Mamicës, që thuhet se u mbajt në këtë Kala. Bukuria e princesësh Irena Dushmani çoi në një përballje të ashpër  të Lekë Zaharisë dhe Lekë Dukagjinin, ku mbetën të vdekur më shumë se 100 vetë. Sipas legjendës, Lekë Dukagjini nuk u pajtua me zgjedhjen e princesësh për kundërshtarin e tij çka e shtyu t’i ngrinte atij kurthin e vdekjes, por pa e fituar Irenën, e cila i qëndroi deri në fund besnike dashurisë së saj.

“Faza e pare, është faza e ndërtimit të mureve fortifikuese rrethuese.  Faza e dytë është rindërtimi mbi këto mure dhe realizimi i katër kullave fortifikuese, si dhe sterës. Faza e tretë ka qenë faza e ndërtimit të xhamisë, Si dhe faza e katërt që njihet si faza e fundit që është faza e nërtimit të Kullës së Sahatit, e cila është ndërtuar mbi një nga katër kullat fortifikuese rrethore”, shpjegon ajo.

Sot Kalaja e Prezës është një nga pikat më joshëse për turizmin në zonë. Xhamia që thuhet se u ndërtua nga turqit pas pushtimit të Krujës, është i vetmi nga objektet që ruan funksionin e hershëm. Shumë prej banorëve të zonës vijojnë të kryejnë aty ritet fetare. Ndërsa pranë kullës rrethore një lokal i vogël gostit vizitorët. Braktisja për të cilën shkruan Barleti që në shkrimet e hershme ka vijuar të ndihet deri vonë…tërmeti ishte goditja e fundit e fortë që nxiti Fondin e Ambasadorit Amerikan për Trashëgiminë Kulturore të ndihmojë. 25 mijë dollarë për projektin e 100 mijë dollarë për restaurimin që po zbatohet nga Trashëgimia Kulturore pa kufij, sipas Ministrisë së Kulturës, mund ta vitalizojnë sërish atë. Sigurisht, kërshërinë mund ta shtonte edhe më tepër historiku i rrëfyer i saj përmes të dhënash e fotosh në formën e një muzeumi digjital, por ky moment, në më të mirën e rasteve ndoshta do të pasojë pas restaurimit të plotë të saj…

/Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat