Rreth 30 tonë domate janë kalbur në serën e fermerit Fatjon Asllani në Zharrëz të Patosit si pasojë e ngricave. Fermeri, i cili prej 16 vitesh merret me kultivimin e perimeve në sera, thotë se nuk ka përjetuar kurrë më parë një situatë të tillë.
“Kur erdha në sera më 1 janar, pashë gjithë prodhimin të shkatërruar. Gjithçka ishte ngrirë, nuk kishte më asgjë për të shpëtuar”, tha Asllani.
Humbjet financiare llogariten rreth 20 mijë euro.
“Kam pësuar dëme edhe nga përmbytjet, por kjo është goditja më e rëndë. Shpresa ime e vetme është dëmshpërblimi”, shtonai.
Aktualisht, serat janë bosh dhe fermeri pohon se nuk ka mundësi financiare për të mbjellë kultura të reja, ndaj kërkon mbështetje dhe dëmshpërblim nga shteti.
Ndërsa në Mbrostar të Fierit, blegtori Arjan Merdani po përballet me pasojat e përmbytjeve nga lumi Seman. Ai thotë se ndihma e mbërritur nga shteti për ushqimin e bagëtive është e pamjaftueshme.
“Më kanë sjellë 25 thasë me koncentrat, por kjo nuk mjafton për dëmet që kam pësuar. Dëmet në fermë përfshijnë 30 kuintalë misër, 36 tonë silazh dhe rreth 200 dengje jonxhë”, tha blegtori.
Përmbytjet në Zadrimë, Zejmen dhe Torovicë kanë dëmtuar fushat e mbjella me grurë dhe foragjere. Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë e Lezhës, bën me dije se procesi i vlerësimit të dëmeve është drejt përfundimit.
“Janë të përmbytura rreth 1 700 hektarë, ku afërsisht 60 për qind janë të mbjella me jonxhë, 35 për qind me grurë, ndërsa pjesa tjetër përfshin ullinj, lakra dhe agrume”, deklaron Paulin Gjergji, Drejtor i Bujqësisë, Bashkia Lezhë.
Grupet e vlerësimit kanë dalë në terren si në Lezhë ashtu dhe në zonat e tjera të prekura nga përmbytjet, por ende nuk ka një afat për dëmshpërblimin dhe as vlerën monetare. Megjithate Kryeministri Rama ka premtuar kompensim te plote për te gjitha familjet që paten deme ne banesa, toka bujqesore e stalla blegtorale.
Komente











