SHBA - Zjarrfikësit në Kaliforni janë duke luftuar për të shuar flakët e një zjarri të fuqishëm që ka dalë nga kontrolli në afërsi të Parkut Kombëtar të Yosemite-it. Më tepër se 5,000 shtëpi janë të rrezikuara nga zjarri i nisur që prej 17 gushtit i cili është frenuar vetëm në masën 5 për qind. 

Më shumë se 2,700 zjarrfikës janë në terren, por pavarësisht përpjekjeve të mëdha, deri tani nuk kanë mundur të frenojnë flakët që po favorizohen edhe nga erërat e forta. Në zonë po përdoren edhe disa aeroplanë që mbartin ujë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve. 

Një zyrtar i Parkut Kombëtar vuri në dukje vështirësinë e luftës kundër zjarreve në pyje, pasi zjarrfikësit po ndeshen edhe me kushtet e vështira të terrenit. Guvernatori i Kalifornisë Jerry Brown shpalli të shtunën gjendjen e jashtëzakonshme në San Francisko pasi zjarri ka dëmtuar infrastrukturën elektrike që furnizon qytetin me energji. 

Evakuimet e banorëve ku disa të vullnetshme dhe disa të detyrueshme, kanë qenë të mëdha. Parku i famshëm Yosemite u shpall Zonë e Trashëgimisë Botërore në vitin 1984 dhe konsiderohet një prej parqeve më popullore në të gjithë globin.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)