Kreu i grupit të PS, Taulant Balla duket se ka në plan të kallëzojë në SPAK kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehajn për çështjen e vilës në Itali. Një pasuri e paluajtshme, truall plus ndërtesë vetëm 251 m2 gjithsej, të cilën vetë deputeti Shehaj ka deklaruar se e ka shitur shtatorin e kaluar plot 15 milionë euro. Nga seanca plenare në Kuvend, ku po përplasej me deputetin Erald Kapri të cilin e quajti asistentin e Shehajt, Balla u shpreh se e ka gati dosjen.

Deputeti socialist theksoi se po zbardhet skema e pastrimit të parave, duke nxjerrë edhe shifrat që tashmë janë bërë publike edhe nga Shqiptarja.com, të cilat tregojnë se si Shehaj e bleu vilën në vitin 2019 me një vlerë prej 2.9 milionë euro ndërkohë që vetëm 4 vite më vonë në deklaratën e ndryshimit të pasurisë për vitin 2025 thotë se e ka shitur plot 15 milionë euro, pra mbi 5-fish më shumë.

“Nuk ka model më të keq në politikë sesa të vish këtu dhe të bësh suflerin e Gones. Ti bashkë me atë personin tjetër që nuk është këtu, e nise karrierën politike me pagesë nga paratë e Gones, tani paguhesh me paratë e shqiptarëve si asistent i Gones, ky është ndryshimi. Deri në shtator të paguante Gonia nga paratë e call center si asistenr. Sot paguhesh si asistent i Gonës me paratë e Kuvendit. Ndërsa po zbardhet gjithë e skema e pastrimit të parave të Agron Shehajt, rast unik në botë që brenda 4 vitesh pesëfishon vlerën e një prone nga 2.9 mln euro në 15 mln euro. Do të vijë Gonia këtu, ia kam bërë gati dosjen. Nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në shtator 2025”, tha Balla.

Vetë Shehaj në deklaratën e pasurisë për vitin 2021 thoshte se pasurinë e paluajtshme truall+ndërtesë 251 m2  e kishte blerë 2.9 milionë euro, (një shifër normale për tregun), duke i nxjerrë një fitim prej 12.1 milionë euro brenda vetëm 4 viteve pasurisë së paluajtshme. 

Deklarata e vitit 2025 (shitja e vilës 15 milionë euro)

 

Deklarata e vitit 2021 (blerja e vilës 2.9 milionë euro)

Deputeti Agron Shehaj ende nuk e ka bërë një sqarim ezaurues për këtë lëvizje, ndërsa nga ana tjetër tanimë thotë se vila ishte 500 m2 dhe jo 251 m2 siç e ka raportuar në dy deklarata të ndryshme në ILDKPKI, siç shihet në fotot më lart. 

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj dha një vendndodhje të vilës sipas tij, në Forte dei Marmi në Itali. Kjo zonë luksoze ishte një prej katër destinacioneve që Report Tv analizoi para kësaj deklarate të Shehajt. Nga komunikimi me agjenci imobiliare konkludohet se është e pamundur që një vilë 251 m2  të jetë shitur 15 milionë euro, vetëm nëse do të ishte e gjitha sipërfaqe ndërtimi dhe do të kishte rreth e rrotull një truall shumë të madh toke, një pozicion super favorizues etj.  Forte dei Marmi është aktualisht vendpushimi italian me çmimin mesatar më të lartë të përgjithshëm për shtëpitë e pushimit, rreth 2.1 milionë euro. Një shifër e përafërt dhe me çmimin që Agron Shehaj e ka blerë 4 vitë më parë.