TIRANË - Seanca paraprake në të cilën SPAK kërkon pushimin e hetimeve pas kallëzimit të PD-së ndaj gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka u shty për më 19 maj.

Shkak u bënë disa kërkesa të reja nga avokatët e Partisë Demokratike, e cila ka bërë kallëzimin për gjyqtaren duke e akuzuar për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Kallëzuesit kërkuan të shpallet moskompetenca e kësaj gjykate dhe përjashtimi i gjyqtares së seancës paraprake, Marinela Osmani, me argumentin se Irena Gjoka nuk mund të gjykohet brenda Gjykatës së Posaçme ku ajo është anëtare, por për çështjen duhet të flasë një gjykatë tjetër.

Po ashtu, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha se dosja duhet të rikthehet sërish për hetime, duke akuzuar SPAK-un për falsifikime, pasi në disa dokumente të dosjes, mungojnë firmat e hetuesve të BKH.

PD e kallëzoi gjyqtaren Irena Gjoka se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë greke. Por sipas SPAK-ut procesi është zhvilluar në mungesë dhe nuk është vërtetuar nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni, duke shtuar se ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.