Një email i datës 25 maj 2012 tregon se Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri. Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”

Email-i është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike.

Sipas arkivave zyrtare, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berishën, kryeministër, Bamir Topin, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.

Thorbjørn Jagland ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucioni paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende. Ai ka qenë gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.

Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë dhe, deri më tani, nuk ka prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.

Megjithatë, fakti që ky komunikim është zhvilluar me Jeffrey Epstein, një figurë e përfshirë më vonë në skandale të rënda ndërkombëtare, ngre pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënieve dhe kontakteve private me figura të larta institucionale, çështje që mbeten ende të paqarta dhe të hapura për sqarim.

Foto: Emaili që Thorbjørn Jagland i ka dërguar Jeffrey Epstein

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:54
‘Pazaret’ e Jeffrey Epstein/ E reja nga Tirana u kërkoi punë: Jam e interesuar, por nuk jetoj në SHBA...’ndërmjetësi’ i kërkon video

Në 3 milionë faqet e reja të publikuara lidhur me dosjen e Jeffrey Epstein shfaqet edhe emri i një vajze shqiptare, e cila rezulton që të ketë aplikuar për një vend pune si asistente personale. Sipas materialeve, rezulton që e reja me iniciale E.T., të ketë aplikuar në mars 2017.

Fillimisht ajo ka dërguar një CV, një personi ndërmjetësi (emri i të cilit është i mbuluar në dokumente), duke shprehur interes për pozicionin e punës. Sipas të dhënave të CV-së që shqiptarja kishte dorëzuar për të aplikuar për këtë pozicion pune, rezulton se jetonte në Tiranë.

“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në emailin që ka dërguar e reja.

Në vijim të komunikimit, personi tek i cili po aplikonte për punë, i kërkon asaj që të dërgojë “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Kandidatja më pas përcjell dokumentet dhe tre foto personale.

Pas marrjes së materialeve, i njëjti person ia përcjell email-in Jeffrey Epstein, duke e informuar se bëhet fjalë për një vajzë 21–22 vjeçe. Edhe pse në CV thuhet se vajza jeton në Tiranë, personi që i dërgon emailin Epstein i thotë se ajo jeton në Paris, duke e pyetur: “A duhet ta intervistoj këtë?”

Në listën e bashkëngjitjeve të email-it, përveç CV-së dhe fotografive, rezulton që e reja t’i ketë dërguar edhe një video për kandidimin e saj. Nga dokumentet nuk rezulton që vajza shqiptare të ketë pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Epstein.

Emailiet që 'ndërmjetësi' i ka dërguar Epstein për vajzën shqiptare

 

Emaili për videon që ka dërguar vajza shqiptare, ndërmjetësi ia dërgon Epstein