Komisioni i Sigurisë ka miratuar mes debatesh të ashpra dhe pa praninë e opozitës draftin e dakordësuar PS-LSI për vendosjen e kamerave të ambientet e hapura me rrezikshmëri.
Qysh në fillim të mbledhjes pati përplasje mes relatorit Pjerin Ndreu dhe kreut të komisionit, Spartak Braho, pasi Ndreu nuk kishte dijeni për ndryshimet e bëra dhe kërkoi shtyrjen e mbledhjes.
Pas replikave personale mes të dyve, ku u përfshi dhe Flamur Noka dhe Pirro Lutaj, mbledhja u shty. Opozita braktisi mbledhjen dhe Flamur Noka foli përpara ikjes për median, duke e konsideruar projektligjin si një çorbë qensh, teksa akuzoi se pas këtij sherri fshihen interesa për tenderin e blerjes së kamerave.
Pas negociatave, Ndreu u tërhoq nga kundërshtitë dhe ndryshimet u miratuan. Votimi final pritet të enjten në parlament.
Debati i plotë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë:
Spartak Braho: Në rend dite kemi diskutimin e dekretit të Presidentit për masat shtesë të sigurisë publike. Bazuar në një kërkesë të paraqitur nga dy kryetarët e grupeve parlamentare, komisioni e rishqyrton duke paraqitur një draft të ndryshimeve. Ekspertët janë përpjekur të marrin parasysh të gjitha vërejtjet si dhe mendimet e Presidentit.
Fjalën e ka z. Pirro.
Pirro Lutaj: Atëherë, ne...
Flamur Noka: Më fal, për procedurë kërkoj fjalën. Z. Kryetar, dekreti i Presidentit që ktheu ligjin argumenton arsyet. Dua të di nga përfaqësuesit e ministrisë se çfarë ndryshimesh i janë bërë ligjit që na është sjellë prapë këtu.
Pjerin Ndreu: Ka një problem këtu, ta shpjegoj unë për procedurë.
Spartak Braho: Prit, pra, prit. Kur të ta jap unë fjalën. Ministria e Brendshme sot është palë, dëgjon. Nuk i ka bërë ajo ndryshimet. I kanë bërë ekspertët ndryshimet në komision. Për sa i përket relatorit, ti Pjerin ishe relator në pjesën e parë kur u bë diskutimi i dekretit. Nuk ka asnjë pengesë që ju të jeni relator përsëri. Pirro ka dhe ai mendimin e tij. Urdhëro, merre fjalën.
Pjerin Ndreu: Këtu nuk është problemi kush relaton e kush jo. Këtu është problemi për procedurën. Ju keni bërë ndryshime dhe unë si relator nuk di asnjë gjë. Kërkoj nga komisioni shtyrjen e këtij projektligji për nesër që të njihem me problemin sepse nuk di asnjë rresht dhe asnjë shkronjë se çfarë ka ndodhur. Edhe nga ana profesionale, oficer policie jam unë dhe është e pafalshme që ne të hyjmë në diskutime të qejfit të njërit apo tjetrit. Nëse ligjet i bëjmë sipas qejfit të njërit apo tjetrit, ky është problem tjetër. Oficer policie këtu jemi: unë, Paulin Stërkaj e disa, që kemi të drejtë të mbajmë qëndrimet tona. I tërheq vëmendje komisionit për çështjen e relativeve dhe ju kërkoj publikisht t’i vendosni në rrugën e duhur sepse ka probleme serioze. Relator i këtij projektligji jam unë, kam përgatitur dhe material për këtë punë, dhe të vish në komision e të gjendesh përpara fakteve të panjohura, unë si anëtar komisioni nuk jam i gatshëm. Nuk na është vënë as material përpara. Dakord, mirë që i keni bërë ndryshimet sipas mendimit tuaj, po një material para pse nuk na e keni vendosur?
Spartak Braho: Dakord, sa kohë kërkon?
Pjerin Ndreu: Nesër.
Spartak Braho: Pjerin, më dëgjo këtu. Problemi është se pasnesër, të enjten është në seancë. Ose e shqyrtojmë sot, ose nesër është vonë për seancë.
Pjerin Ndreu: Nëse ju keni vendosur të fusni marshin e 5-të dhe ta kaloni në seancë pa e njohur në asnjë rresht dhe asnjë ndryshim relatori dhe pastaj anëtarët e komisionit, është problemi juaj. Po mua më duket e parregullt dhe nuk duhet të ndodhë asnjëherë më, jo në këtë komision, po askund. Unë mban qëndrim edhe personal, edhe profesional.
Spartak Braho: Ti qenke keq sot.
Pjerin Ndreu: Jo, nuk jam keq. Jam shumë mirë, por ju lutem shumë, gjeni orën, gjeni mënyrën që ne të njihemi me materialet. Të njihem unë si relator një herë. Nuk është e drejtë kjo.
Spartak Braho: Sa kohë do?
Asllan Dogjani: Nuk na ka ardhur asnjë email të paktën. Të shtyhet, e të miratohet seancën tjetër. Jemi në emergjencë për drogën dhe kanabisin, jo për kamerat e sigurisë.
Xhemal Qefalia: Jeni njohur me vërejtjet, si jo?
Pirro Lutaj: Po lëreni këtë debat kot tani.
Spartak Braho: Mos bëni sikur keni ardhur sot në parlament. Propozimet bëhen dhe këtu në tavolinë. E di ti?
Asllan Dogjani: Sigurisht që e di, por ti si anëtar komisioni duhet të na kishe njoftuar për të gjitha ndryshimet që janë bërë.
Paulin Stërkaj: Këtu ka njerëz profesionistë. Unë mendoj që 30 minuta janë të mjaftueshme për tu njohur me ndryshimet në projektligj secili prej nesh. Unë e kam parë, s’mund të them që nuk i kam parë ndryshimesh. Të mblidhemi pas 30 minutash.
Pirro Lutaj: Unë nuk do të doja ta kishim këtë keqkuptim me kolegët tanë. Këtu nuk bëjmë punë profesionale për punonjësit e policisë, as ne që s’jemi policë, të mësojmë profesionin e policit.
Flamur Noka: Tani, ti mos ofendo për këtë, të lutem
Pirro Lutaj: Po lere, mos u bëj avokat ti tani.
Flamur Noka: E ke koleg pra, mos e fyej.
Pirro Lutaj: Po rri tani, kot ky. Ti je bërë polic pa qenë polic, unë jo.
Flamur Noka: Po është kolegu juaj, mua s’më gjen gjë. Respektoje.
Pirro Lutaj: Unë nuk bëhem dot, po këtu nuk kemi punë profesionale për policë.
Flamur Noka: E di që nuk bëhesh, po të paktën mos ofendo.
Pirro Lutaj: po lëre se nuk bëhesh dot ti avokat i njerëzve. Unë si sekretar komisioni, dhe kryetari me ekspertët e komisionit, kemi bërë reflektimet e nevojshme sipas gjykimit tonë. Nuk është çështje relatimi këtu, nëse e bëj unë apo kolegu im. Unë si anëtar komisioni dhe një prej negociatorëve, morëm përgjithësisht vërejtjet e presidentit. Të shtyjmë 30 minuta mbledhjen.
Pjerin Ndreu: Ne nuk duhet të bëjmë debat me njëri-tjetrin dhe të përdorim terma jo “polic” e kështu. Problemi qëndron tjetër kund. Relatori, mirë që nuk është përfshirë fare në ndryshime, por as nuk është vënë në dijeni për to. Për asnjë rresht. Kjo është shkelje. Kjo është një gjë që duhet riparuar dhe nuk duhet të ndodhë as mes kolegëve të një grupi, as me ata të opozitës. Kjo nuk është sjellje korrekte, as me projektligjin dhe as me njëri-tjetrin. Kur nuk kam dijeni, si mendoni ju, se do të ngre dorën kot, qorrazi? Jo, nuk do ta bëj këtë.
Spartak Braho: Dakord, e morëm vesh. Tani, përgjegjësinë për këtë punë e mbaj unë. Unë duhet të kisha njoftuar ty dhe të të kisha përfshirë. Por ke kaluar në heshtje. Ndoshta nuk ke lënë gjurmë fare si relator.
Flamur Noka: Uuuuuu, fillove dhe ti të ofendosh më keq se ky tjetri?
Pjerin Ndreu: O Flamur, rrini në punën tuaj se nuk ka nevojë të më bëjë avokati askush. Ta sqaroj unë këtë punë?
Flamur Noka: Nuk po bëj avokatin e askujt zotëri, por këtu ka etikë.
Pjerin Ndreu: Z. Kryetar, meqë ju keni këtë mendim se unë nuk kam lënë gjurmë si relator, unë tërhiqem nga relatimi, dhe ju vazhdoni.
Spartak Braho: Se mos na ikësh dhe nga mbledhja?
Pjerin Ndreu: Po dhe atë mund ta bëj. Pse çfarë?
Spartak Braho: Jooo, s’mund ta bësh.
Pjerin Ndreu: Ti e di që unë s’marr leje prej kujt.
Spartak Braho: Mua do më marrësh leje se më ke shok të vjetër. Mbledhja shtyhet për në 12.
(Ndërpritet mbledhja. Debati vijon në korridor.)
Spartak Braho: Eja këtej, Pjerin.
Pjerin Ndreu: Ikni, vazhdoni vetë.
Pirro Lutaj: Po hajde, mor burrë.
Pjerin Ndreu: Ika, kam mbledhje tek zyrat e grupit. S’do merrem me juve.
Flamur Noka për mediat: Ajo që patë sot në mbledhjen e Sigurisë ishte një çorbë qensh. Ju e patë se Komisioni ishte i painformuar dhe një përpjekje tinzare e përgatitur nga maxhoranca. Ju patë që komisioni ishte i painformuar dhe një përpjekje tinzare për të shmangur nga ky pazar dhe vetë përfaqësues të maxhorancës. Ju e patë që ministri i Brendshëm ishte kryepazarxhiu i kësaj historie. U tha që janë marrë vërejtjet e komisionit dhe presidentit në konsideratë. U tha që është përmirësuar ligji, por nuk u thanë arsyet pse me kaq urgjencë dhe nuk u sqaruan deputetët se përse nuk ishin njoftuar për këto ndryshime. Sot deputetët ishin mbledhur për një çështje tjetër, por atyre u zhvilluan pazaret e Roskovecit. Pas këtij ligji fshihen interesa madhore, tenderash dhe për koncesione kamerash. Fshihet një tentativë për të shkelur me të dyja këmbët të drejtat e njeriut. Ky komision tregoi se kjo maxhorancë është shndërruar në një çorbë qensh.
(Deputetët socialistë, Braho dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme konsumojnë një kafe 30 minutëshe dhe kthen bashkë me Ndreun)
Rifillon mbledhja pa praninë e opozitës. Për plotësimin e kuorumit PS merr tre deputetë zëvendësues.
Pjerin Ndreu: Meqë në media është keqkuptuar qëndrimi im, dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë kundërshtim me përmbajtjen, veçse me procedurën. Si ish-punonjës policie unë jam që një orë e më parë të vendosen kamerat. Procedura duhet respektuar që të diskutojmë në harmoni me njëri-tjetrin.
Spartak Braho: Ok, meqë të gjithë jemi në harmoni, a mund të votojmë ndryshimet? Ok. Faleminderit. Mbledhja mbyllet.
d.b/shqiptarja.com