Eliminimi i Paraguait nga Botërori në ndeshjen e 1/8-ve kundër Francës vijon të shkaktojë polemika dhe akuza të fortë në distancë mes Kylian Mbappe-s dhe dhe senatores paraguaiane Celeste Amarilla. Kjo e fundit, e nxitur nga reagimet e Mbappes-s në fushë dhe sidomos pas një përplasje me portierin Orlando Gill, shpërtheu kundër futbollistit.

Ajo e quajti Mbappé një “kamerunas të kolonizuar” “shtiret si francez”, duke e cilësuar gjithashtu “brut që nuk mësoi kurrë as të shkruante”. Në një tjetër koment, senatorja shkroi: “Në vend të qumështit të gjirit, ai thithi kokos dhe krijesat më të arsimuara që ka dëgjuar ndonjëherë ishin shimpanzetë".

Mbappé reagoi publikisht në platformën X, duke dënuar deklaratat si raciste dhe plot urrejtje.

“Je një grua e neveritshme dhe nuk përfaqëson popullin e Paraguait”, shkroi sulmuesi francez, ndërsa vlerësoi kombëtaren paraguaiane për mënyrën se si luftoi në fushë gjatë turneut.

Pas reagimit të Mbappé, Federata Franceze e Futbollit njoftoi se i kishte referuar deklaratat e senatores prokurorisë për procedura gjyqësore. Edhe presidenti i Federatës, Philippe Diallo, dënoi ashpër fyerjet ndaj futbollistit dhe Francës, ndërsa qeveria e Paraguait u distancua nga komentet, duke deklaruar se “i dënon dhe i refuzon” ato dhe se mbetet e përkushtuar ndaj respektit, barazisë dhe të drejtave të njeriut.

Megjithatë, Amarilla nuk u tërhoq plotësisht. Në një deklaratë të gjatë, ajo pranoi se ishte penduar për gjuhën e përdorur dhe se e kishte fshirë postimin.

“U pendova që të ofendova me të njëjtat fyerje që kam marrë edhe unë, sepse edhe unë jam përçmuar për faktin që jam me prejardhje të përzier dhe latine. Kuptova se po përsërisja modele që i urrej dhe e fshiva postimin,”- shkroi senatorja.

Megjithatë, ajo kërkoi që edhe Mbappé të kërkojë falje. “Tani kërkoj që edhe ti të tërheqësh deklaratën tënde dhe të më kërkosh falje. As unë nuk do ta toleroj dhunën tënde.” Amarilla këmbënguli se problemi nuk është me Francën, por me vetë futbollistin.

“Problemi është mes meje dhe teje. Nuk kam thënë kurrë asgjë kundër Francës. Përkundrazi, jam me ju. Kam studiuar në një shkollë franceze nga mosha dy deri në 17 vjeç, flas frëngjisht dhe më pëlqen të vizitoj Francën. Problemi është me ty,”-u shpreh Amarilla.

Ajo akuzoi Mbappé për “arrogancë dhe përçmim” ndaj futbollistëve të Paraguait gjatë ndeshjes, duke pretenduar se sjellja e tij “lëndoi të gjithë vendin tim”.

Në pjesën e fundit të reagimit, senatorja mbrojti mandatin e saj politik dhe akuzoi Mbappé për “dhunë politike ndaj grave”.

“Kush je ti që të më quash të padenjë apo të neveritshme, kur nuk më njeh fare? Kjo është dhunë e pastër gjinore. Dhunë politike ndaj një gruaje që është zgjedhur me votën e popullit të saj. Më përçmon pikërisht sepse jam grua.”

Në përfundim, Amarilla i bëri thirrje sulmuesit francez të “nderojë shtetësinë e tij franceze” duke kërkuar falje dhe duke tërhequr deklaratat, ndërsa paralajmëroi se në të kundërt mund të ndërmarrë veprime ligjore për atë që e cilëson si dhunë politike me bazë gjinore.

Në mbrojtje të Mbappe-s për rastin është rreshtuar edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili thotë se futbollisti ka rënë pre e sulmeve të përsëritura raciste. Ai vë theksin te vlerat e francezëve, të cilët sipas Macron bazohen te dinjiteti, respekti dhe vllazëria. Për ngjarjen ka reaguar edhe qeveria paraguaine duke dalë kundër senatores dhe ka hedhur poshtë deklaratat.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.