DURRËS - Durrësi do të jetë qyteti i parë që do të këtë një kampus universitar. Godina e parë e kampusit universitar e qytetit bregdetar do të jetë funksionale që në ditën e parë të vitit të ardhshëm akademik.

Ajo do t'i shërbejë fakultetit të biznesit, në të cilin studiojnë më shumë se 4 mijë studentë. Godina e fakultetit është e para në kompleksin universitar, me sipërfaqe të përgjithshme 48.3 hektarë.

Sipas projektit fillestar, rreth 40 për qind e të gjithë sipërfaqes së kampusit do të jetë e gjelbëruar, ndërsa godinat që do të shërbejnë si salla leksionesh, laboratorë e biblioteka do të zënë një territor të përgjithshëm prej 11.5 ha.

Godina e re që ka 26 auditorë, me kapacitet prej rreth 3000-3500 studentë. Studentët dhe pedagogët  do të kenë në dispozicion gjithashtu 2 salla të mëdha konferencash, 3 salla mbledhjesh si  dhe 27 zyra.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, tashmë në vitin e shtatë, përbëhet nga 7 fakultete ka 51 programe studimi Bachelor, Master dhe 1 program doktoraturë.

Universiteti ka filluar ndërtimin e kampusit universitar në një sipërfaqe prej 55 ha dhe parashikohet t’u shërbejë më shumë se 25.000 studentëve.  Në 7 vjet, numri i studentëve të universitetit ka qenë 14 mijë studentë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)