Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është përfshirë nga tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pas përjashtimit të deputetit demokrat Luçiano Boçi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e ka cilësuar vendimit si anti-kushtetues dhe sipas tij, ky vendim do të marrë një tjetër ‘shuplakë’ në gjykatë.
“Jeni shkelës flagrant të Kushtetutës. I mohoni deputetëve të opozitës të drejtën e fjalës. Kjo masë do të ankimohet dhe do të merrni një tjetër shuplakë. Ndaj kryetar, thirrini pak ndërgjegjes tuaj njerëzore. I vetmi kryetar Parlamenti që ka dy vendime, edhe në Kushtetuese, edhe në Administrative”, tha Blushi.
Por Peleshi tha se asnjë vendim i kryetarit të Kuvendit lidhur me masat ndaj deputetëve të opozitës, nuk është rrëzuar nga Gjykata.
“I referoheni një vendimi që s’ka lidhje me kryetarin e Kuvendit”, tha Peleshi.
Më tej fjalën e mori deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili tha se përjashtimet e deputetëve të opozitës janë si ‘kamxhik’ ndaj vetë opozitës.
“Përjashtimet si kamxhik ndaj opozitës, nuk janë normale në një Parlament. Situata që sapo ndodhi qëpar, ishte një kërkesë për të marrë fjalën në Parlament. Mund të kërkonit pak qetësi, por përjashtimin e deputetëve nuk mund ta bëni. Përjashtimi tregon dobësinë tuaj. E keni përdorur shpesh edhe ndaj forcës tonë politike, ku kryetarin e keni përjashtuar 20 ditë, ditën që u votëbesua qeveria”, tha mes të tjerash Kapri.
Por Peleshi iu përgjigj Kaprit duke i thënë se ai nuk ishte në sallën e Parlamentit kur u mor vendimit dhe sipas tij, nuk kishte nga ta dinte që përjashtimi i Boçit ishte i pabazuar në rregullore.
“Zoti Kapri, mundet të jetë marrë një masë e pabazuar në rregullore. Pyetja ime është, po ju ku e dini? Sepse ju nuk ishit këtu?”, iu përgjigj Peleshi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Tensione në Kuvend/ Boçi merr ‘peng’ foltoren, Peleshi e përjashton nga seanca! Opozita braktis sallën











