KAMZE: Problemet me çertifikatat e pronësisë janë një tematikë e nxehtë në Shqipëri, pasi shumë qytetarë nuk kanë ende një dokument pronësie për banesat e tyre. Gjatë prezantimit të kandidatit për deputet të LSI-së në Kamzë, Ylli Manjani, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta tha se partia që ai drejton ka një paketë konkrete për legalizimin e banesave. Duke iu drejtuar qytetarëve të Kamzës, kreu i LSI-së theksoi se me voten e tyre, qytetarët do t’i japin fund burokracive dhe sorollatjeve të vazhduara për marrjen e një dokumenti pronësie.

“Me votën tuaj më 23 qershor ju, jo vetëm që do të ndëshkoni lojën politike të bërë me legalizimet nga lidershipi aktual i qeverisë për gati tetë vjet, por njëkohësisht do të shpëtoni një herë e përgjithmonë nga sorollatjet absurde nga burokracitë e panumërta.” , tha Meta.

Më tej kreu i LSI, u shpreh se “duke votuar LSI-në ju sigurojmë se secili prej jush do të marrë certifikatën e pronësisë që meriton në mënyrë që të respektohet ligji dhe mbi të gjitha që të respektohet sakrifica që ju, që prindërit tuaj, që fëmijët tuaj kanë bërë për këto investime gjatë këtyre dy dekadave. LSI është një forcë në rritje, është një forcë e cila vendos për fatet e vendit, është një forcë që i shërben gjithmonë stabilitetit, është një forcë që i shërben gjithmonë integrimit”.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ftoi të gjithë të pranishmit “t’i japin fund një herë e mirë politikës që është shkëputur nga realiteti, ekonomisë së lulëzuar virtuale të Berishës dhe t’i kthejmë sytë nga problemet tuaja, nga problemet e qytetarëve shqiptarë dhe t’i ndihmojmë ata që t’i përballojnë vështirësitë të cilat janë rritur dita-ditës”.

Sipas Metës, LSI-ja është garancia më e mirë për ju dhe për të gjithë ata që duan stabilitet dhe ndryshim njëkohësisht, duke garantuar mirëqenie dhe vende pune. Kryetari i LSI-së në fund të takimit ka shpërndarë karta anëtarësie për 250 të afruar rishtazi në LSI.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)