TIRANE - Komunitetet rome në Tiranë, përgjithësisht janë të vendosura në periferi të saj. Mendohet se në kryeqytet jetojnë rreth 12 mijë romë, që prej vitesh varfërinë ekstreme, ndërsa ndihma e shtetit e shoqërisë, për ta ka mbetur në kuadër te projekteve në letër, e parave te harxhuara në emër të tyre, por që nuk shkuan kurrë për ta.

Mbledhja e kanaçeve dhe shisheve plastike duket se është e vetmja zgjidhje për të siguruar ndonjë para për të mbajtur frymën gjallë. Familjet rome që jetojnë në këtë zonë, thonë se edhe këtë e kanë të vështirë ta bëjnë. “Po ne jemi në fund të botës, - na thonë ata. – Ju thashë, na duhet një orë për të zbrit në Kombinat, ndërkohë që ne na duhet të bredhim nëpër qytet për të kontrolluar kazanët e mbeturinave.

Po deri sa të shkojmë ne i kanë mbledh të tjerët, ndaj edhe këtu kemi probleme. Unë për vetë jam e regjistruar, jemi të regjistruar në Berat, pasi prej andej jemi, por nuk marrim ndonjë ndihmë ekonomike”, - na thotë ajo dhe na tregon kartën e identitetit dhe certifikatën familjare. Ndërsa ata thonë se nuk pranojnë të punojnë në vendgrumbullimin e mbeturinave në Sharrë, pasi aty i shfrytëzojnë. “Po kur mbledhim kanaçe na ecën më mirë. Aty të paguajnë shumë pak dhe të shfrytëzojnë, ndërsa kur mbledhim kanaçe vetë ka ditë që mund të fitojmë edhe 10 mijë lekë të vjetra dita. Ndaj më mirë mbledhim kanaçe vetë, se sa shkojmë te mbeturinat e Sharrës”, - na thonë ata.

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)