Gjithashtu Meta shprehet se nuk e pranon kërkesën e deputetëve për shkak se në këto mbledhje diskutohen informacione të bashkëpunimit me vende partnere dhe institucione ndërkombëtare, ndaj të cilave duhet siguruar standardi i mbrojtjes së informacionit.
Meta thotë se mbledhjet e KS bëhen të mbyllura për të krijuar atmosferë besimi mes anëtarëve. Presidenti në fund të përgjigjes, shprehet se në rast se vlerësohet se ka prova që i shërbejnë hetimit Prokurori i Përgjithshëm mund të kërkojë dhe të përdorë informacionet e mbledhjeve.
“Nëpërmjet kësaj përgjigje ju bëj me dije se nuk e kam aprovuar kërkesën tuaj. Vlerësoj se deklasifikimi dhe publikimi i diskutimeve në mbledhjet e KSK-së (që nuk ka ndodhur asnjëherë) do të përbënte një precedent me pasoja afatgjata për funksionimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm mundet të kërkojë dhe të përdorë për interesa të hetimit informacionin e mbledhjeve të KSK-së në mënyrën e përcaktuar nga ligji” thotë Meta ndër të tjera.
PD dhe LSI kërkonin publikimin e të dhënave të raportuara nga institucionet për luftën ndaj drogës me qëllim që të ballafaqohen rezultatet e dhëna. Në atë mbledhje është raportuar për situatën e kanabisit, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe ish-ministri Tahiri, që sot është i akuzuar nga prokuroria për përfshirje në dosjen ‘Habilaj’. Në atë kohë mbledhja u drejtua nga Presidenti Bujar Nishani, ndërsa deputetët e PD pohojnë se janë dhënë detaje për implikimin e zyrtarëve të policisë së shtetit.


Përgjigja e Metes per deputetet e PD dhe LSI
dy.b/shqiptarja.com












