E ndërsa Shqipëria është përfshirë në debate pas deklaratës së kryeministrit për ligjerimin e kanabisit për qëllime mjekësore, në Maqedoninë e Veriut kanabisi është ligjëruar prej disa vitesh. Por edhe atje procesi nuk ka kaluar pa polemika dhe akuza.

Deklarata e kryeministrit Rama se qeveria ka gati projektligjin për ligjërimin e prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore, u komentua nga përfaqësuesit e opozitës në vend si një përpjekje e kryeministrit për të rikanabizuar vendin për qëllime elektorale. Si Basha ashtu edhe Kryemadhi reaguan njëherësh dhe thanë se kjo është një përpjekje e Ramës për të rikanabizuar vendin për efekte elektorale.

Por një gjë të tillë shteti fqinj Maqedonia e Veriut e ka ligjeruar që prej vitit 2016. Menjëherë pas miratimit të ndryshimeve ligjore që i dhanë rrugë të lirë prodhimit të kanabisit për arsye mjekësore, u regjistruan 23 kompani. Por vetëm dy prej tyre prodhojnë vajin e kanabisit për shkak se përpunimi i tij është një proces i vështirë dhe kërkon kohë.

Për këtë arsye kompanitë e prodhuese në Maqedoninë e Veriut kërkojnë ndryshime të tjera ligjore, me qëllim që ata të mund të eksportojnë lule të thata të kanabisit që kanë një vlerë prej miliona eurosh dhe kërkojnë më pak përpunim.

Në Maqedoninë e Veriut vaji i kanabisit dhe disa medikamenteve që kanë përqendrim të lartë të marihuanës lejohen që pacientët t’i blejnë në farmaci me recetë mjekësore.

Megjithatë edhe pas miratimit të ligjit, ende në Maqedoninë e Veriut vijon debati dhe akuzat për mungesën e kontrollit nga ana ligjore të kompanive që merren me prodhimin e kanabisit.

Njohësit e çështjeve ekonomike deklarojnë se Maqedonia e Veriut si shtet, nuk ka potencial juridik që të kontrollojë industrinë e kanabisit.

Është shumë e qartë se Maqedonia e Veriut si shtet nuk ka kapacitet që të garantojë se një biznes i tillë nesër, në këtë shtet, do të jetë i kontrolluar nga institucionet. E dinë e gjithë Evropa se institucionet e shtetit, në këtë gjendje siç janë, nuk kanë kapacitete administrative”, thotë ish-ministri i Financave, Xhevdet Hajredini.

Ndërkohë, opozita maqedonase VMRO-DPMNE gjatë qeverisjes së cilës u miratua ligji për prodhimin e kanabisit për nevoja mjekësore ka lëshuar akuza ndaj ish kryeministrit Zoran Zaev sipas të cilëve me licencë për kultivimin e kësaj bime janë pajisur kompanitë që kanë lidhje familjare me të. I përfshirë në këtë industry është kushëriri i ish kryeministrit Zoran Zaev, Trajçe Zaev, është njëri nga investitorët më të mëdhenj në këtë industri.

Deri tani qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka bërë publike të dhënat për sipërfaqet e mbjella me kanabis.