Policia kanadeze ka ndërhyrë duke larguar dhe arrestuar protestuesit e mbetur pranë një ure të rëndësishme në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, në përpjekjet për t’i dhënë fund bllokimit të shkaktuar nga protestat kundër urdhrave për vaksinim ndaj COVID-19 dhe kufizimeve të tjera.
Policia tha se po bëheshin arrestime dhe po hiqeshin automjetet që bllokonin rrugët Urës së Ambasadorëve që lidh qytetin kufitar kanadez Uindsor në Ontario me Detroitin.
Ajo është pika kufitare më e ngarkuar mes dy vendeve. Bllokimi ka detyruar kompanitë e prodhimit të automjeteve si Ford dhe General Motors të mbyllin disa nga fabrikat dhe të pakësojnë prodhimin në të dyja anët e kufirit.
Nuk është e qartë se kur mund të hapet ura. Protestat janë përhapur edhe në pjesë të tjera të Kanadase. Në kryeqytetin Otava, radhët e protestuesve u rritën dhe policia tha se ishin mbledhur rreth 4,000 demonstrues.