Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë me Kanadanë, duke theksuar se Bashkimi Europian dhe Kanadaja “e shohin botën me të njëjtët sy”.

Në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në Parlamentin Europian, von der Leyen përmendi teknologjinë, prodhimin e armëve, inteligjencën artificiale dhe politikat për Arktikun si disa nga fushat ku mund të thellohet bashkëpunimi. I ftuari i saj i nderit në Strasburg ishte kryeministri kanadez Mark Carney, i cili përpara mbërritjes në Europë deklaroi se synon një “aleancë unike” me BE-në.

Deklarata e tij erdhi pas raportimeve se Kanadaja po shqyrton mundësinë e një statusi si “anëtare e asociuar” e Bashkimit Europian, por pa synuar anëtarësimin e plotë.

Çfarë forme mund të marrë bashkëpunimi?

Anëtarësimi i plotë i Kanadasë në Bashkimin Europian nuk është një mundësi sipas traktateve aktuale, pasi neni 49 i Traktatit të BE-së parashikon se vetëm shtetet europiane mund të aplikojnë për anëtarësim.

Megjithatë, BE-ja ka forma të ndryshme bashkëpunimi me vendet që nuk janë anëtare, nga marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe marrëveshjet e asociimit deri te pjesëmarrja në tregun e përbashkët, si në rastin e Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë. BE-ja ka gjithashtu marrëveshje asociimi me vende si Turqia, Izraeli dhe Ukraina, të cilat mund të jenë, por jo domosdoshmërisht janë, një hap drejt anëtarësimit.

Eksperti i ekonomisë Patrick Leblond, nga Universiteti i Otavës, shprehet skeptik për përdorimin e termit “anëtarësim i asociuar”. Sipas tij, ka pak gjasa që Kanadaja të pranojë legjislacionin europian apo të hyjë në tregun e përbashkët ose në bashkimin doganor të BE-së.

Ai vlerëson se synimi i Carney-t është më tepër krijimi i një aleance të përqendruar te siguria ekonomike dhe mbrojtja.

Bashkëpunim më i madh në mbrojtje

“Deri tani, në një farë mënyre, të dyja palët e kemi marrë si të mirëqenë ombrellën amerikane të sigurisë”, tha Leblond, duke shtuar se si BE-ja, ashtu edhe Kanadaja, për këtë arsye nuk kanë investuar mjaftueshëm në ushtritë e tyre.

Tashmë synimi është bashkimi i forcave në fusha si prodhimi i armatimeve dhe zhvillimi i teknologjive të reja.

Edhe eksperti i sigurisë Anand Sundar, nga European Council on Foreign Relations, sheh potencial të madh për bashkëpunimin europiano-kanadez në mbrojtje.

Aktualisht, Kanadaja shpenzon rreth 70% të buxhetit të saj të mbrojtjes në SHBA, por Carney kërkon ta ndryshojë këtë. Pjesëmarrja në projektet europiane të mbrojtjes mund të jetë ekonomikisht më e favorshme për Kanadanë.

Kanadaja i është bashkuar tashmë programit SAFE, i cili u siguron vendeve të BE-së deri në 150 miliardë euro kredi për blerjen e përbashkët të armatimeve. Për shkak se Kanadaja ka paguar një tarifë për t’iu bashkuar programit, kompanitë e saj përfitojnë nga rregulla më fleksibël për origjinën e komponentëve.

Megjithatë, Sundar thekson se vazhdojnë të ekzistojnë pengesa të rëndësishme për kompanitë kanadeze që duan të bashkëpunojnë me ato europiane. Një nga çështjet kryesore është se deri në çfarë mase BE-ja është e gatshme të përshtatë rregullat e saj, pasi ndryshimet mund të kenë pasoja edhe për partnerë të tjerë, si Mbretëria e Bashkuar apo Norvegjia.

Nga ana tjetër, edhe BE-ja mund të përfitojë nga një bashkëpunim më i ngushtë me Otavën. Kanadaja shpenzon për mbrojtjen më shumë se 14 vendet më të vogla të BE-së të marra së bashku. Aktualisht ajo shpenzon rreth 2% të PBB-së për mbrojtjen, ndërsa si anëtare e NATO-s është angazhuar që deri në vitin 2035 shpenzimet të arrijnë në 5% të PBB-së.

Infrastrukturë, energji dhe tregti

Një tjetër fushë bashkëpunimi mund të jetë infrastruktura kritike, përfshirë menaxhimin e përbashkët të satelitëve dhe kabllove me fibra optike në Atlantikun e Veriut.

Sipas Leblond, edhe këtu synimi do të ishte zvogëlimi i varësisë nga SHBA-ja dhe kompanitë amerikane. Kanadaja ka gjithashtu rezerva nafte dhe gazi që mund të përdoren për furnizimin e vendeve të BE-së.

Marrëdhëniet tregtare mes dy palëve rregullohen tashmë nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare, CETA, e cila zbatohet përkohësisht që prej vitit 2017.

Marrëveshja ka hequr pothuajse të gjitha tarifat doganore, rregullon hyrjen e produkteve industriale dhe bujqësore në treg dhe u mundëson kompanive europiane të marrin pjesë në tenderët publikë në Kanada.

Leblond vlerëson se potenciali i CETA-s ende nuk është shfrytëzuar plotësisht, pasi shumë kompani kanadeze vazhdojnë të orientohen tradicionalisht drejt tregut amerikan.

Pse Kanadaja po afrohet me Europën?

Në fillim të vitit, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Mark Carney deklaroi se rendi i vjetër botëror po shpërbëhet dhe u bëri thirrje fuqive të mesme të bashkëpunojnë, në mënyrë që të mos përfundojnë “në menynë” e fuqive të mëdha.

Gjatë javëve të fundit, përplasjet tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë janë ashpërsuar më tej, të shoqëruara edhe me sulme verbale nga presidenti amerikan.

Megjithëse Kanadaja nuk mund të shkëputet ekonomikisht dhe strategjikisht nga SHBA-ja, sipas Leblond në vend po forcohet bindja se Otavës i duhen aleatë të tjerë dhe Europa shihet si një partner i besueshëm.

Në praktikë, një “anëtarësim i asociuar” i Kanadasë nuk do të nënkuptonte anëtarësim në BE, por një formë të re dhe më të ngushtë partneriteti, që mund të përfshijë mbrojtjen, sigurinë ekonomike, teknologjinë, energjinë, infrastrukturën dhe tregtinë.