TIRANE- Numri i personave të prekur nga kanceri po rritet nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik rezulton se gjatë vitit të fundit janë regjistruar 6 mijë raste të reja me këtë sëmundje, ndërkohë që ekspertët rendisin edhe shkaqet kryesore të kësaj sëmundje. Sipas Shefit të Sëmundjeve Kronike në ISHP, Alban Ylli rezulton se rastet më të shumta shfaqen në moshën mbi 40 vjeç. Por ajo që vërehet së fundmi është shtimi i rasteve ne moshe te re kryesisht te kanceri i gjirit për femrat.

“Unë përmenda duhanin, por duhet të përmendja edhe dietën. Mënyra e të ushqyerit është një faktor i rëndësishëm, pasi kemi fakte se në Shqipëri persona të cilët janë mbipeshë janë persona të rriskuar për tu prekur nga këto sëmundje. Po kështu edhe aktiviteti fizik është një faktor tjetër i rëndësishëm për të favorizuar sëmundjen, dhe për këtë kemi fakte se kemi gjithnjë e më pak aktivitet fizik sidomos tek moshat e reja dhe të mesme.

Po kështu edhe alkooli është një tjetër faktor, rriskues për sëmundjen”, pohon Ylli. Sipas tij, më të shpeshta janë rastet e shfaqura tek meshkujt për kancerin e mushkërive, por edhe numri gjithnjë e në rritje i femrave në moshë 40-vjeçare, të prekura me kancerin e gjirit. Por jo të pakta janë rastet, kryesisht tek meshkujt për kancerin e stomakut dhe të zorrës së trashë. Duke parë këtë situatë Ministria e Shëndetësisë po punon për vënien në zbatim të strategjisë kombëtare kundër kancerit.

Ajo që shihet si pikënisje e luftës ndaj kësaj sëmundje është identifikimi i saj në popullate përmes krijimit të një regjistri kombëtar për njohjen e të gjitha rasteve. Kjo do të ndihmojë kryesisht në diagnostikimin, kurimin dhe parandalimin e sëmundjes. Kurse mjekët e shërbimit onkologjik kanë kërkuar ngritjen e strukturave shëndetësore që diagnostikojnë dhe trajtojnë tumoret e ndryshme edhe në rrethe, pasi Tirana është e vetmja qendër që përballet me këta pacientë.

“Gjithçka është e grumbulluar në Tiranë, dhe mund të themi se zona të tëra janë të pambuluara për kancerin" tha Agim Sallaku, shef i onkologjikut në QSUT. Këto deklarata u bënë gjatë një konference kombëtare, ku mjekë onkologë por edhe  nga fusha të tjera të shëndetësisë kanë shprehur mendime rreth ecurisë së sëmundjeve tumorale në vend dhe risive në diagnostikim dhe trajtim në vendin tonë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)