Prokuroria e Përgjithshme dhe Kuvendi kanë shkëmbyer tre shkresa në rrugë zyrtare, për çështjen e kandidatëve të Prokurorisë për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).   
 
Shqiptarja.com ka siguruar letërkëmbimet mes dy institucioneve.
 
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh sot gjatë konferencës për shtyp se ka kërkuar nga Prokuroria informacion për përzgjedhjen e tre kandidatëve për KED, menjëherë pas akuzave të ambasadorit amerikan Donald Lu në adresë të kryeprokurorit Adriatik Llalla se ka shkelur Kushtetutën.
 
Ndërsa në përgjigjet e Prokurorisë thuhet se ky institucion ka respektuar ligjin për organet e qeverisjes së institucioneve të drejtësisë dhe Kushtetutën e vendit.
 
Sipas prokurorisë, vetëm tre prokurorë plotësonin kriteret si ushtrimi i funksionit për të paktën 10 vjet; përfundimin nga magjistrati të ciklit të plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi; përfundimin e Shkollës së Magjistraturës; vlerësimit të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional etj.