TIRANE - Komisioni i Punëve të Jashtme në Kuvend mori në shqyrtim dy kandidatët për ambasadorë Mal Berisha dhe Edmond Caca. Seanca dëgjimore ishte me më interes në rastin e Berishës i cili emërohet ambasador në Britaninë e Madhe ndërsa aktualisht është i dërguar me punë. Berisha ju përgjigj interesimit të deputetëve të opozitës për çështjen e ekstradimit të Ilir Kumbaros.

“Lidhur me ekstradimin e zotit Ilir Kumbaro deri më tani nuk ka ardhur në vëmendjen time as nga autoritetet britanike as nga kërkush tjetër dhe unë nuk kam përse ta gërmoj atë deri në momentin kur dikush vjen në ambasadë dhe interesohet për të”, tha Berisha.

Më tej Berisha sqaroi edhe atë çka u deklarua nga opozita si blerje e një fotografie gjatë takimit Berisha-Cameron.

“Ka pasur një lloj incidenti për të cilin ndoshta nuk ja vlen të merrem fare lidhur me një fotografi e cila nuk besoj se i bën nder askujt që të demantojë ambasadën pse ka bërë një fotografi të marrë nga e vetmja agjenci që ofronte këtë shërbim në atë vend”, -u shpreh kandidati për ambasador në Britani.

Kandidati për ambasador në Britaninë e Madhe Mal Berisha u paraqit përpara Komisionit të Punëve të Jashtme në Kuvend për të ju përgjigjur pyetjeve të opozitës. Berisha dha sqarime për çështjen e ekstradimit të Ilir Kumbaros ashtu sikurse për aludimet për blerjen e fotografisë gjatë takimit Berisha-Cameron.

(Gre.M/Shqiptarja.com)