Igli Cara: Anëtarë të bandave kriminale kanë kërcënuar me jetë të rinjtë e FRPD! Policia e Durrësit: E pavërtetë, ka qenë një debat për fletëpalosjet

Kandidati i Metës dhe Berishës për bashkinë e Durrësit, Igli Cara ka pretenduar ditën e sotme se 10 persona, sipas tij anëtarë të bandave kriminale, kanë kërcënuar me jetë të rinjtë e FRPD-së që po shpërndanin fletëpalosje në lagjen ‘Stalla’ në Sukth.

Në deklaratën e bërë nga përfaqësuesi i FRPD-së në këtë bashki, thuhet se të rinjtë demokratë janë kërcënuar me jetë nga anëtarë të grupeve kriminale të cilët u kanë kërkuar që të mos shpërndanin fletushkat e programit që Igli Cara ka për Durrësin.

“Sot rreth orës 13.30 në lagjen Stalla të zonës së Sukthit, ndërsa grupi i të rinjve të FRPD-së, po shpërndanin fletpalosje në mbështetje të kandidatit Igli Cara, një grup i përbërë prej afro 10 personash, janë afruar duke kërcënuar të rinjtë demokratë, që “ Nëse nuk do të largoheshin nga zona e tyre, do të hanin plumbin”.

Ndërsa dita e votimeve po afron bandat kriminale janë shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit te Durrësit duke ju bërë presion jo vetëm banorëve por edhe atyre që janë kundërshtarë të kryetares aktuale të Bashkisë.

Ne si forcë politike denoncojmë këtë rast kriminal dhe kërkojmë nga Policia e Qytetit të Durrësit që të verifikojë urgjentisht personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale dhe të merret masat e duhura ndaj tyre”-thuhet në deklaratën e bërë nga stafi elektoral i Carës në Durrës.

Ndërsa lidhur me këtë pretendim ka reaguar edhe policia e Durrësit, që ka mohuar kategorikisht përfshirjen e personave me rekorde kriminale në këtë ngjarje. Në reagimin e bërë bëhet me dije se janë shoqëruar në komisariat dy persona të cilët dyshohet se kanë pasur konfliktin me të rinjtë demokratë. Të shoqëruarit kanë mohuar pretendimet e të rinjve të FRPD-së për kërcënimet me jetë, duke sqaruar se thjesht kanë debatuar duke u kërkuar mos të vendosnin më fletushka poshtë dyerve të banesave të tyre dhe mos t’i hedhin në rrugë.

Më tej policia thekson se i kishte kërkuar edhe Carës që të paraqitej në komisariat dhe të bënte denoncimin e tij, por ky i fundit nuk i ishte përgjigjur kësaj ftese.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Pretendimet e Carës për kërcënime nga banda kriminale në Durrës, policia: E pavërtetë! Ka qenë debat për vendosjen e fletushkave poshtë dyerve të dy personave

Policia e Durrësit i ka konsideruar të pavërteta pretendimet e Igli Carës për kërcënime nga anëtarë të bandave kriminale në Durrës ndaj të rinjve të FRPD-së. Në një reagim të bërë, policia bën me dije se ka shoqëruar në komisariat dy persona të cilët kanë patur debat me simpatizantët e rinj të FRPD-së dhe ata kanë deklaruar se thjesht kanë debatuar për mos t'u vendosu fletushka poshtë dyerve të shtëpive. 

Policia sqaron se i ka kërkuar kandidatit të Metës dhe Berishës në këtë bashki, që të bëjë denoncim mbi personat të cilët i konsideron si anëtarë grupesh kriminale, por Cara nuk është paraqitur për ta bërë një gjë të tillë. 

Reagimi i plotë i policisë:

Më datë 06.05.2023, rreth orës 14:00, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka njoftuar me telefon se rreth orës 13:00, në një lagje në Sukth, Durrës, një grup prej 6-7 personash kishin qenë në këtë lagje, me një automjet me logo të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe sipas tyre, dy shtetas që drejtonin dy automjete, i kishin kërcënuar me fjalë që të largoheshin nga lagjja.

Në këto kushte është ftuar për të bërë kallëzim, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por deri në këto momente nuk është paraqitur as ai dhe asnjë shtetas tjetër, për të bërë kallëzim në lidhje me pretendimin e ngritur gjatë telefonatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së telefonatës, kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Durrësit dhe më pas shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në adresën e dhënë.

Pas informacioneve të marra, është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Durrës, i dy personave, konkretisht shtetasve F. T., 25 vjeç dhe A. M., 31 vjeç, banues  në Sukth, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë kërcënuar njeri, por kanë debatuar me personat që të  mos futnin postera dhe fletushka poshtë banesave të tyre apo t’i hidhnin ato në rrugë.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm, do t’i dërgohen Prokurorisë, për vlerësim.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës sqaron opinonin publik se deklarata e bërë sot nga kryetari i FRPD dega Durrës, i cili foli për banda kriminale që iu bëjnë presion qytetarëve të Durrësit, për të tjetërsuar vullentin e tyre politik, është tërësisht e pavërtetë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe të gjitha subjektet politike, se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit e të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen sa më të sigurtë të fushatës zgjedhore dhe se deri tani, në qarkun e Durrësit, nuk ka asnjë rast të cenimit të këtij procesi.

Në funksion të mbarëvajtjes sa më të qetë e të sigurtë të të gjithë procesit, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke mos përhapur panik me deklarata të pabazuara në fakte dhe fton cilindo që ndeshet me çfarëdolloj paligjshmërie, që të denoncojë në numrin pa pagesë 112, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm dhe profesional.

B.V/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë mblidhet sërish sot, pritet miratimi i planit të hetimit dhe kërkesave për informacion

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë mblidhet sërish sot, pritet miratimi i planit të hetimit dhe kërkesave për informacion