Kaninë,Rama inspekton punimet:
Rikthejmë ish-Qendrën e Kulturës

Kaninë,Rama inspekton punimet:<br />Rikthejmë ish-Qendrën e Kulturës<br>
Qendra e Kaninës, e cila do të kthehet shumë shpejt në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore do të pësojë transformim rrënjësor. Kryeministri Rama foli gjatë inspektimit të punimeve për investimet që do të kryhen, duke nisur që nga rikonstruksioni i rrugës së fshatit, e deri te ristrukturimin e sheshit historik dhe i Pallatit të Kulturës.

Nënstacioni elektrik i Orikumit ishte ndalesa tjetër e kryeministrit, i cili shoqërohej nga deputeti i zonës Fate Velaj dhe ministri i Energjisë Damian Gjiknuri. Rama foli për gjendjen në të cilën është katandisur ky nënstacion ndër vite, ndërsa sipas Gjiknurit, gjithë pjesa e bregdetit të Vlorës bëhet me shërbim modern të energjisë elektrike. Në fund, kryeministri u njoh dhe me planet dhe projektet për transformimin e parkut arkeologjik të Orikumit.

Njoftimi i plotë për inspektimet e Ramës në Jug
Qendra e Kaninës, e cila me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave  kthehet në zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, do të pësojë një transformim rrënjësor falë projektit të Rilindjes Urbane. Ristrukturimi i sheshit historik, duke ruajtur traditën e zonës, si dhe rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës, aktualisht jashtë funksionit, por që pritet të kthehet në një qendër moderne kulturore, do të shtojë numrin e vizitorëve e turistëve që vizitojnë fshatin me tradita kulturore dhe bukuri natyrore. Në Kaninë ishte,  Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Fate Velaj, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe zëvendësministri Artan Shkreli.

Projekti i parë është ai i rrugës së fshatit, investim i qeverisë, po ashtu do ndërhyhet për rikonstruksionin e Qendrës së Kulturës. Ndërkohë po kryhet studimi për ujësjellësin e ri të Kaninës.   “Është atraksion i madh të sjellësh njerëzit këtu. Këtu, gjithë verës vinin turistë gjermanë që e bënin në këmbë rrugën nga Vlora,”  - tha Zëvendësministri Artan Shkreli.

“Pallati i Kulturës është në gjendje të mjerë. Ideja ishte që të rikthehet përsëri, ka fare pak punë,” – u shpreh deputeti Fate Velaj. “Këtu duhet të bëjmë sheshin kryesor. E shpallëm zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Duhet ta fillojmë nga këtu të rikthejmë në jetë ish-Qendrën e Kulturës, të bëjmë një sallë konferencash që të jetë dhe në funksion të Vlorës." – u shpreh Kryeministri.

Një ndër vendimet e qeverisë, krahas shpalljes së qendrës historike të Kaninës, zonë e mbrojtur, u miratua edhe Rregullorja e Administrimit të saj, që do të pasohet edhe me programin për Rilindjen e të gjithë fshatit. 

* * *

Nënstacioni elektrik i Orikumit do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike të bregdetit të Vlorës. Nënstacioni pritet të përmirësojë edhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike të zonës bregdetare, duke dhënë fund një prej problemeve më të ndjeshme, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si dhe do t’i japë një shtysë e siguri më tepër zhvillimit të turizmit.

“Është parashikuar që e gjithë zona të garantohet me furnizim cilësor dhe pa ndërprerje. Do jenë 6 fidera në total me 105 kabina, që do garantojnë në mënyrë afatgjatë pjesën e furnizimit me energji elektrike. Është parashikuar që projekti të mbarojë në afat, në fillim të marsit 2018,” - u shpreh drejtuesi i zbatimit projektit.

“Gjithë drama e rëndë e shumë viteve të bregdetit Jon, - u shpreh Kryeministri Rama gjatë inspektimit të punimeve, - me këtë zgjidhet përfundimisht se ky është segmenti i fundit i boshllëkut që ishte krijuar që nga elektrifikimi dhe që ka torturuar dynjanë këtu, plus që e bënte sezonin turistik një torturë më vete.”-

Ky nënstacion, bashkë me nënstacionin tjetër në Himarë dhe rrjetin e ri elektrik, që ripërtërihet tërësisht që nga koha e elektrifikimit, do të garantojnë  infrastrukturën elektrike për 5 dekadat e ardhshme.

“ Do të bëhen të gjitha 20kV, Radhimë, Orikum deri në Llogara dhe e gjithë pjesa e bregdetit të Vlorës bëhet me shërbim modern të energjisë elektrike. Edhe në Himarë ka filluar nënstacioni dhe rrjeti energjetik i gjithë kësaj zone, për 40-50 vjet do jetë i garantuar. Zëre se u bë një rrjet i ri, që nga koha e elektrifikimit,” - tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

* * *

Parku Arkeologjik i Orikumit, një destinacion turistik i preferuar, për natyrën e tij detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, së fundmi është në proces rikualifikimi. Gjatë vizitës së tij, Kryeministri, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u njoh dhe me planet dhe projektet për transformimin e këtij parku, në një park natyror dhe arkeologjik njëkohësisht.

“Bashkë me Komisionin e Gërmimit të Institutit të Studimeve Arkeologjike po vazhdojnë gërmimet dhe ndërkohë jemi duke bërë një projekt për të propozuar organizmin e një sipërfaqeje më të madhe të parkut e për të propozuar një park natyror e arkeologjik njëkohësisht. Projekti është në bashkëpunim e sipër duke u kryer me universitetin e Gjenevës, Fakultetin e Arkitekturës dhe Arkeologjisë”, - u shpreh ministrja Kumbaro. 

Parku i Orikut, i njohur për rolin e rëndësishëm që luajti në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeu, në vitet 49-48 para erës sonë, ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve në vitet e fundit. “Në 2017, krahasuar me 2013, kemi 110% rritje të numri të turistëve” – tha ministrja Kumbaro.

Pjesë të rëndësishme të këtij parku arkeologjik janë “Fontana Monumentale”, “Hyrja Veriore2, e zbuluar gjate viteve te fundit dhe “Rrënojat e Kishës mesjetare”. Ndërkohë që nga gërmimet e reja që po kryen kanë dalë në dritë pjesë të tjera të rëndësishme të këtij qytetërimi antik. “Është zbuluar një kullë e periudhës bizantine si dhe pjesa e murit rrethues të periudhës bizantine të qytetit antik. Gërmimet janë zhvilluar dhe në hyrjen veriore të qytetit ku është zbuluar pjesë tjetër e murit rrethues si dhe në pjesën e akropolit të qytet ku është zbuluar një kishë e periudhës paleokristiane, por dhe me faza të mëvonshme rindëritmi. Nga pikëpamja e urbanistikës, gërmimet arkeologjike tregojnë se ky qytet është unik për sa i përket urbanisitikës dhe arkitekturës”, - u shpreh drejtori i Parkut Arkeologjik.

dy.b/shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ SHBA fiton medaljen e artë, thyejnë rekordin botëror

Paris 2024/ SHBA fiton medaljen e artë, thyejnë rekordin botëror