Një aksident ka shkaktuar radhë të gjatë trafiku prej 10 kilometrash pasditen e kësaj të mërkure në autostradën Durrës-Tiranë. Aksidenti mendohet të jetë bërë përtej Vorës, ndërsa trafiku nis që në Sukth të Durrësit. Në pamjet e siguruara nga Report Tv duket se një makinë tip fuoristradë është kthyer përmbys, gjë që ka shkaktuar edhe kaosin në autostradë. Nga aksidenti nuk ka të lënduar, vetëm dëme materiale. 

Autostrada Durrës-Tiranë është kthyer në makth për shoferët, të cilët shpesh herë përjetojnë bllokim trafiku për shkak të aksidenteve, fluksit të mjeteve që kthehen nga plazhi apo edhe atyre që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe kanë destinacion kryeqytetin.

Ndërkohë nuk dihet ende nëse ka ndërhyrje nga policia për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve që nga pamjet duket se mezi lëvizin.