Gazment Bardhi ka folur pas mbledhjes së grupit të PD dhe përgëzoi kolegët e tij për kaosin e shkaktuar sot në Kuvend. Bardhi tha se nesër do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Bardhi tha se vota e tyre është pro heqjes së imunitetit të Ballukut dhe se do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme në Kuvend.
Akuza hodhi edhe në drejtim të Niko Peleshit, i cili ende nuk u ka vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve USB-në me provat për Ballukun. Bardhi tha se Peleshi nuk mund të mbyllë në kasafortë korrupsionin e Ballukut.
“Shqiptarët s’mund të jenë peng i një qeverisje të korruptuar. I shpreh mirënjohjen çdo deputeti që sot u ngrit në lartësinë e detyrës për t’i shërbyer interesit publik, do marrim nesër pjesë në mbledhjen e këshillit të mandateve dhe vota jonë është e qartë, pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë të një zyrtari të korruptuar, të Ramës, që është Belinda balluku, askush nuk mund ta mbyllë korrupsionin e Ballukut në kasafortë. Dua të dënoj shkeljen e procedurë parlamentare, që ka kryer kryetari i kuvendit. Ky nuk është rasti i parë. Deputetët anëtarë nuk janë njohur me provat, por edhe urdhri i prokurorit nuk i është vënë në dispozicion deputetëve, urdhri nuk ndalon deputetë të njihen me materialet urdhri ndalon të pandehurën Balluku të njihet materialet e sjellura në kuvend dhe Peleshi bën të kundërtën. Balluku ka marrë kopje të provave se do të vijojë të intimidojë dëshmitarët.
Ditën që Balluku është rikthyer në detyrën e saj, SPAK përmes metodave speciale të hetimit, përgjimi ambiental, videot apo fotografitë, ka konstatuar që është duke intimiduar vartësit e saj. Çdo ditë që qëndron në zyrë, prish hetimet, intimidon dëshmitarët dhe ka urgjencë të jashtëzakonshme trajtimi i kësaj çështje dhe dhënia e autorizimit. Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, tha Bardhi.
Një koment e ka edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Endri Shabani i cili u betua mes kaosit.
“Kemi një karagjoz që puth me duar e me këmbëve deputetë duke provokuar opozitën. Rama është krye karagjozi dhe mos prisni emërime të tjera të një niveli të duhur përfaqësimi”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
Kuvendi 1 orë 'arenë' përleshjeje, deputetët e PD zaptojnë karriget e ministrave dhe përplasen me Gardën: Ku është Balluku? Shabani betohet mes flakadanëve, PS kalon direkt në votim












