ITALI-Pesë banda shqiptare të akuzuara për mbi 60 grabitje janë goditur nga policia italiane duke arrestuar 22 persona.
Katër prej bandave me 17 shqiptarë të arrestuar akuzohen se vetëm në muajt e fundit kanë grabitur 57 banesa; 23 në Milano, 17 në Varese, 8 në Como, 4 në Cremona, 3 në Leçe dhe nga 1 grabitje në Brianza dhe Brescia.
Ndërkohë që në një rast në Leçe shqiptarët u janë përgjigjur me zjarr efektivëve të policisë që i pikasën dhe u bënë thirrje që të dorëzoheshin. Pavarësisht se ishin në katër grupe të ndryshme shqiptarët bashkëpunonin me njëri tjetrin.
Sipas policisë, shqiptarët ishin gati për t’u kthyer në atdhe, ndërsa nga kontrolli iu sekuestruan dy pistoleta, dy makina, radio si dhe 2200 euro. Mediat italiane kanë publikuar pamjet e grabitjeve.
Ndërkohë që operacioni tjetër për goditjen e bandës së pestë shqiptare u zhvillua në Firence ku u arrestuan pesë shqiptarë. Ata kishin grabitur disa banesa dhe të moshuar duke u marrë bizhuteri dhe sende me vlerë, por pas hetimeve disa mujore u arrestuan. Në momentin që policia ndërhyri ata tentuan të largohen, teksa njëri u hodh edhe nga ballkoni, por nuk arriti që të arratiset, ndërsa dy të tjerë bënë rezistencë dhe 4 policë u plagosën.
Megjithatë të pestë përfunduan në burg. E ndërsa mediat kanë publikuar pamjet e momenteve të disa prej grabitjeve, shqiptarët dëgjoheshin duke komentuar vjedhjet, shtëpitë, ndërsa u identifikuan kur me krenari pohuan 'Firence si Miloti'. Një pjesë e sendeve të grabitura që arrinin mbi 18 mije euro ata i kishin fshehur në oborrin e banesës por u zbuluan nga dedektorë metali, ndërsa destinacion kishin Milotin.