KORÇË – 16 kg kanabis u kapën në një automjet në fshatin Vishocicë të Devollit në kuadër të operacionit “Cross Border”, që dyshohet se po trafikohej drejt Greqisë. Në pranga u vu 46-vjeçari Julian Belortaja, i cili drejtonte automjetin ndërsa në kërkim u shpall bashkëpunëtori 37-vjeçar D. M.
46-vjeçari u ndalua për kontroll në fshatin Vishocicë, dhe në bagazhin e automjetit brenda një çante sportive u gjet lënda narkotike, e cila ishte e ndarë në 15 pako të mbështjella me natriban. Sipas policisë, 46-vjeçari në bashkëpunim me 37-vjeçarin do ta trafikonin drogën drejt shtetit fqinj.
Krahas lëndës narkotike, u sekuestrua edhe një celular, ndërsa sipas policisë, po hetohet edhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet, pas një hetimi disa javor me metoda proaktive, operacioni i koduar “Cross Border”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll.
Transportonte me automjet, dyshohet drejt kufirit me Greqinë, 16 kg lëndë narkotike kanabis kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 46-vjeçari.
Shpallet në kërkim një 37-vjeçar, bashkëpunëtor i 46-vjeçarit, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
Sekuestrohen 16 kilogramë lëndë narkotike kanabis, automjeti me të cilin po transportohej lënda narkotike dhe 1 celular.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi disa javor me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin policor të koduar “Cross Border”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. B., 46 vjeç, banues në Korçë, dhe u shpall në kërkim shtetasi D. M., 37 vjeç, banues në Korçë, bashkëpunëtori i 46-vjeçarit.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll në fshatin Vishocicë, Devoll, automjetin që drejtohej nga shtetasi J. B.
Shërbimet e Policisë gjetën në bagazhin e automjetit një çantë sportive, brenda së cilës ishin 15 pako të mbështjella me natriban, me peshë totale 16 kg, lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.
Nga hetimet e deritanishme rezultoi se shtetasi J. B., në bashkëpunim me shtetasin D. M., për të cilin vijon puna për kapjen e tij, do ta trafikonin drejt Greqisë sasinë e lëndës narkotike.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Komente








