Një operacion i Policisë së Kosovës në Prishtinë ka çuar në pranga një nga personat më të kërkuar nga Danimarka. Bëhet fjalë për Liridon Fetahin, i dyshuar për përfshirje në dy raste vrasjesh dhe lidhje me një bandë kriminale daneze.

Arrestimi u krye më 23 mars në kryeqytet, pas një pune operative në terren. Në aksion morën pjesë njësia “FAST Kosova”, forcat e rendit dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, në një ndërhyrje të koordinuar që përfundoi pa incidente.

Sipas burimeve zyrtare, Fetahi ishte në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e një “Red Notice” të lëshuar nga INTERPOLDanimarkë. një sinjal që përdoret për persona të dyshuar për krime të rënda.

Dy ngjarjet për të cilat ai kërkohej datojnë në vitin 2020. Në prill, një person u qëllua për vdekje në një parking publik. Ndërsa në nëntor, një tjetër sulm me armë la tre të plagosur, dy prej të cilëve humbën jetën.

Sipas të dhënave nga ENFAST dhe INTERPOL, ai konsiderohej një nga personat më të kërkuar në Danimarkë dhe dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal të organizuar.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se autoritetet në Kosovë janë në kontakt të vazhdueshëm me palën daneze për procedurat e mëtejshme, ndërsa çështja po trajtohet nga Prokuroria Speciale.

Kapja e vrasësit me pagesë shihet nga mediat si një goditje ndaj rrjeteve kriminale që operojnë përtej kufijve dhe një tjetër rast i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.