Një egjiptian, por me banim në Krujë, u arrestua nga policia e Tiranës. Ai dyshohet se organizonte në vendin tonë, transportimin e emigrantëve, kryesisht egjiptianë që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë me destinacion një nga vendet e BE-së.
Për të shmangur kontrollet e Policisë ai i transportonte një e nga një emigrantët
34-vjeçari egjiptian u arrestua në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, duke transportuar drejt Shkodrës, një egjiptian. Policia thotë se po punon për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale
Njoftimi i plotë i policisë:
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas të përfshirë në organizimin e transportimin kundrejt pagesave, të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufinjtë në kundërshtim me ligjin, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Organizatori”.
Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë mundësoi arrestimin në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, të autorit të dyshuar, shtetasit egjiptian, A. H., 34 vjeç, banues në Krujë, teksa transportonte drejt Shodrës, një shtetas egjiptian.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë, shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente









