Karantina e dytë? Denaj: Dramatike për ekonominë, buxheti s'parashikon situatë emergjente, do shkurtonim shpenzimet

Një mbyllje e dytë e vendit do të ishte dramatike për ekonominë. Kështu i përgjigjet ministrja e Financave pyetjes së ngritur nga deputetja e opozitës Edlira Hyseni në Komisionin e Ekonomisë.

“A keni një draft B nëse mund të kemi një mbyllje ekonomike të shpejtë?”, pyeti deputetja Hyseni.

“Ky skenar do të ishte shumë mirë të mos formalizohej asnjëherë pasi për ekonominë tonë do të ishte dramatik, dhe është e nevojshme që ne të mendojmë se cilat janë ato shpenzime buxhetore që ne mund ti ngrinim në mënyrë të menjëhershme, ti pezullojmë për disa kohë që të siguronim një balancë makro-ekonomike”, është përgjigjur ministrja Denaj.

Edhe pse projektbuxheti është shumë ambicioz që parashikon rimëkëmbje ekonomike dhe rritje investimesh, ai nuk është i përgatitur për një situatë emergjente.

“Rreziku më i madh fiskal do të ishte zgjatja në kohë e pandemisë. Buxheti është përgatitur jo për një situatë emergjente dhe një situatë e vështirë me pandeminë do të cenonte rritjen e të ardhurave. Ky risk ne vlerësojmë se mund të materializohet në vlerën e 10-12 miliardë lekë nga totali i rritur me mbi 40 miliardë lekë i të ardhurave”, deklaroi Denaj.

Ministrja Denaj ka prezantuar në komision edhe lehtësirat fiskale të ndërmarra për të mbështetur biznesin në vend, përfshirë shtyrjen e deklarimeve tatimore apo shtyrjen e pagesave të detyrimeve, të cilat sipas saj kanë pasur një efekt negativ 19.1 miliardë lekë.

“Tre nga masat kryesore janë mospagimi i detyrimeve tatimore për bizneset e vogla. Kjo masë ka pasur një efekt pozitiv për këtë vit për të mos lejuar bizneset për të mos ju ekspozuar këtij detyrimi për të paktën  14.410 biznese të vogla. Ndërkohë e njëjta masë është marrë për bizneset e mëdha në turizëm, call center dhe fasoneri kanë përfituar 23.917 biznese të mëdha. Sikurse janë shtyrë afatet e deklarimit për vitin 2019 për të gjithë bizneset me një numër 24.945 biznese. Të treja këto masa kanë pasur një efekt buxhetor 19.1 miliardë lekë në buxhetin e këtij viti”, tha ministrja.

Në një vit normal këto të ardhura të munguara të këtij viti do të përktheheshin në shtim të  arkës së shtetit.

“Duhet theksuar se 17.5 miliardë lekë në rritjen e të ardhurave është vetëm efekti i rritjes ekonomike, përfshirë edhe 19.1 miliardë lekë që nuk u lejuan këtë vit si pasojë e mos pagimit të detyrimeve nga bizneset për këtë vit. Duke shtuar edhe miradministrimin fiskal ka një bazë realizimi të mundshëm por në parakushtin që nuk do të ketë mbyllje ekonomike”, tha Denaj.

Ministrja foli edhe për rritjen e pragut të TVSH-së nga 2 në 10 milionë lekë, teksa shtoi se ulja e pragut në vitet e kaluara ka nxitur formalizimin e ekonomisë.

“Dua të theksoj se ulja e pragut të TVSH-së ka dhënë efekt pozitiv për formalizimin dhe është bërë fakt që është rritur numri i bizneseve të regjistruara për TVSH me gati 13 mijë biznese. Rritja e pragut të TVSH-së ka një efekt minus për vitin e ardhshëm 3.5 -4 miliardë lekë”, shtoi Denaj.

Një tjetër nismë pozitive që hyn në fuqi vitin që vjen është rritja e pagës minimale nga 26 në 30 mijë lekë.

“Rritja e pagës minimale do të ketë një efekt në kontribute në masën e 3 miliardë lekëve, dhe do ta nisim në janar të vitit 2021”, tha ministrja.

er.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini