Vlorë - Dy vjet më parë, me skuadrën e vet që drejton me pasionin e një sportisti kampion, karateisti vlonjat Reis Tozaj, mori pjesë në Kampionatin Botëror të Karatesë në Stamboll (Turqi), duke u kthyer prej andej me një medalje të argjendtë, por që për të ishte realisht e artë.
Ende edhe sot, jeton me emocionet e kësaj arritjeje të jashtëzakonshme në një sport, ku, Shqipëria dhe konkretisht edhe Vlora, po ecin me mjaft shpejtësi. Reisi është 35 vjeç, por kjo i ka mjaftuar që të përjetojë të gjitha emocionet e një njeriu që e nis nga "zero", për të arritur në nivelet më të larta. Flet dhe flet për këtë sport, që është shndërruar në dashurinë e jetës së tij, aq sa ka refuzuar ftesa të emrave të mëdhenj botërorë për ta ngritur atë në vendin e vet, në qytetin që e do aq shumë. Reisi kujdeset që në gjithçka që flet për karatenë, të respektojë dhe të ndalet edhe në detajet më të vogla. Në bashkëbisedim përpiqet të të imponojë terminologjinë profesioniste në këtë sport burrëror. Sepse, thotë se, karateja ka gjuhën e saj, ka terminologjinë e saj, e cila duhet respektuar, ashtu siç respektohen gradat në ushtri etj.
 Në fillim të viteve 1990-të, emigroi në Greqi, ku hodhi edhe hapat e para në këtë sport. U stërvit me pasion dhe këmbëngulje në një palestër private dhe u aktivizua në aktivitete të ndryshme në vendin fqinj. Paralelisht me rritjen në këtë sport, erdhën edhe gradat respektive, nga "Brezi i zi", në "1 dan", "3 dan", etj, duke kaluar gradualisht nga nxënës në profesionist. U stërvit nga karateisti i njohur Stelios Skarojanis, për 17 vjet kampion në Greqi, në Ballkan dhe në Evropë, sot, trajner i ekipit kombëtar të Greqisë. "Ishte një fat për mua, që mora mësime dhe pata si trajner Skarojanisin e famshëm, që më mbështeti në të gjithë ecjen time madje edhe në projektet e mëpasme të kthimit në Shqipëri", thotë Tozaj. Madje, ishte kjo mbështetje që ai realizoi në vitin 2002 në Shqipëri, një seminar për artet marciale të karatesë.
 Pavarësisht perspektivës që e priste në vendin fqinj, pavarësisht premtimeve, karateisti vlonjat, Reis Tozaj, i tha "jo" një ftese të një tjetër emri të njohur në sportin e karatesë, në Greqi dhe më gjerë. Në vitin 1999, ai nuk pranoi ofertën e Jorgos Jerolipos, ish President i Federatës Greke të Karatesë(FLOK), i Federatës Ballkanike të Karatesë dhe njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Karatesë(ËKF), për të qenë pjesë e skuadrës greke. Ëndrra e tij mbetej Shqipëria, ku synonte të zhvillonte më tej këtë sport dhe të shënonte rezultate më të larta. Prandaj dhe u kthye në vendin e vet, ku mori pjesë në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. U shpall kampion e nënkampion i vendit, duke e përfaqësuar njëkohësisht Shqipërinë në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare.
Prej disa vjetësh ai ka ngritur një skuadër në Vlorë, ku ka angazhuar të rinj të pasionuar. Aktualisht janë 35 të rinj që stërviten nga ai, ndërkohë që më parë kanë qenë edhe mbi 90-të. Por, mungesa e mjeteve financiare dhe kushteve të tjera, bënë që skuadra të tkurrej. Sportistët vlonjatë të Sport Karate "Flamurtari", të moshës nga 8 deri në 16 vjeç, premtojnë shumë. Skuadra është përfaqësuar në disa kompeticione të njohura ndërkombëtare, duke arritur rezultate.
Dy vjet më parë, skuadra mori pjesë me dinjitet në Kampionatin Botëror "Ëorld Shotokan Karate Union", që u zhvillua në Stamboll (Turqi), ku u përfaqësua në këtë aktivitet me katër sportistë, duke u vlerësuar për këtë edhe nga specialistë të njohur dhe sportistë me emër në botë, në këtë sport të arteve marciale. Henri Sadikaj, atëhere 14 vjeç, konkurroi me mjaft sukses në peshën deri në 50 kg, duke merituar vendin e dytë në botë dhe duke u vlerësuar me Medaljen e Argjendtë, në këtë aktivitet që është më i madhi dhe më i njohuri në botë, në sportin e karatesë.
Por, Tozaj është i bindur edhe sot, se sportisti vlonjat u vlerësua më i miri në përballjen e tij dhe madje, për rreth 20 minuta ai mbajti Medaljen e Artë, por, për shkak procedurash, në përfundim ai u klasifikua në vendin e dytë. "Përfaqësimi i Sport Karate "Flamurtari", ishte mjaft dinjitoz, ndërkohë që ai i Sadikajt, ishte i shkëlqyer", saktësoi trajneri vlonjat i karatesë, ish kampion kombëtar dhe ish trajneri i ekipit kombëtar në këtë sport.
Kampionati Botëror i Karatesë "World Shotokan Karate Union" është më i madhi që zhvillohet në botë në këtë sport të arteve marciale, aq më tepër që në të u përfaqësuan 44 vende nga e gjithë bota me 2600 sportistë dhe ku Shqipëria mori pjesë me 3 ekipe, ku përfshiheshin edhe Sport Klub Karate "Elbasani" dhe Shotokan Akademi "Tirana". Por, ky sukses i skuadrës vlonjate nuk është i vetmi. Ai pason atë të vitit të kaluar, kur ajo mori pjesë në Kampionatin Botëror të Karatesë ËTKA, që u zhvillua në Piza(Itali), ku sportistët vlonjatë merituan 6 medalje, nga të cilat 4 të arta dhe 2 të argjendta.
Por, kjo për Tozajn, nuk është gjithçka. Këto rezultate përbëjnë vetëm motivin për të ecur më tej. Ai ka bindjen se, sot është thyer tabuja e pjesëmarrjes së skuadrave shqiptare në kampionate botërore në këtë sport. Niveli i sportistëve shqiptarë, vlerësohet edhe nga specialistë të njohur ndërkombëtarë. Ndërkohë, sipas tij, sporti shqiptar i karatesë është i krahasueshëm me nivelin botëror. Ai sjell një kuriozitet. Ekipet e Gjermanisë, Belgjikës, Francës në artet marciale, 30-40 për qind të sportistëve të tyre i kanë me origjinë shqiptare.
Tozaj është idealist në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk përfiton asgjë nga ky sport, përveçse emrit dhe rezultateve. Ëndrra e karateistit vlonjat, është të sjellë një medalje të artë në Shqipëri, nga një kampionat i famshëm botëror, siç është ai K1, që zhvillohet në Japoni, me pjesëmarrjen e sportistëve nga e gjithë bota.  Por, për këtë, duhet punë, stërvitje, por edhe mbështetje, duke përfshirë edhe atë financiare.  /ATSH/