Karburantet, nuk rritet çmimi edhe
pas hyrjes në fuqi të paketës fiskale

Karburantet, nuk rritet çmimi edhe<br />pas hyrjes në fuqi të paketës fiskale
TIRANE- Në pikat e tregtimit të karburanteve, tabela e çmimit të një litër benzinë apo naftë ende nuk ka ndryshuar. Ajo vazhdon të jetë e njëjtë me atë para hyrjes në fuqi të taksës së re që do të aplikohet për karburantet. As vetë punonjësit e karburanteve ende nuk e kanë të qartë se kur do të ndryshojë çmimi.
 
Jashtë kameras, punonjësit na thonë se një nga arsyet që ende nuk është rritur çmimi i karburanteve është fakti, se aktualisht ata nuk kanë mbaruar ende rezervat që kishin blerë para se të hynte në fuqi taksa e re e karburanteve.
 
Qeveria Rama me paketën e re fiskale, vendosi të rrisë me 10 lekë të reja taksën e qarkullimit si për naftën ashtu edhe për benzinën.
 
Deri para datës 1 janar 2014, kjo taksë ka qenë fikse si për naftën ashtu edhe për benzinën, 7 lekë për litër. Me vendimin e ri të qeverisë ajo do të shkojë në 17 lekë për litër. Por nëse fusim edhe tatimin mbi vlerën e shtuar, atëherë rritja finale për çdo litër naftë apo benzinë që do të paguajnë konsumatorët është 12 lekë për litër.
 
Por pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, në vendin tonë çmimi i karburanteve njeh vetëm rritje. Sipas një raporti të Bankës Botërore në Shqipëri, çmimi i karburanteve është shtrenjtuar më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit, përgjatë 3 viteve të fundit.
 
Më konkretisht, sipas Bankës Botërore, që nga viti 2010 deri në vitin 2012 çmimi i naftës në vendin tonë është rritur me afro 28%. Kjo rritje është më e lartë se mesatarja rajonale që për të njëjtin interval kohor ishte 19.5% ndërsa rritja e çmimit mesatar në nivel global, ishte vetëm 18.9%.
 
Po ashtu, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria dhe Serbia kishin çmimin më të lartë mesatar të naftës në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht me 1.79 dhe 1.8 dollarë amerikanë për litër. Vendet e rajonit me çmimet më të lira të naftës ishin Maqedonia me 1.55 dollarë për litër dhe Kosova me 1.6 dollarë për litër.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia