Fermeret e fshatit Boshanj të Kolonjës ngrenë alarmin për dëmet po shkaktojnë karkalecat. Prej tre vitesh përballen me të njëjtin fenomen, ndërsa këtë vit dëmet janë edhe më të mëdha. Janë prekur disa kultura bujqesore, si patatet, specat, kungujt, misri, jonxha, si edhe vreshtat e plantacionet e lajthisë.

“Ku do shkojmë, se ne jetojmë me pensione dhe me bujqësi. Na ka bërë dëme të mëdha, me fasule me misër me të gjitha i ka ngrënë karkaleci. Tani ka hyrë në gjethet e rrushit dhe tek lajthitë”, shprehen fermerët.

Fermerët thonë se spërkatjet e kryera nga bashkia nuk kanë dhënë rezultat ndaj kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Drejtoria e Bujqesise për të shpëtuar prodhimin e mbetur. Ata paralajmërojnë se dëmet në kulturat foragjere do të ndikojnë edhe në furnizimin me ushqim për blegtorinë gjatë dimrit.

“Bënë spërkatje nga bashkia por u shumuan më shumë. Se çfarë pesticidi ishte ai se marrim vesh por karkalecat janë shumuar. Ne flemë me karkaleca në dhomën e gjumit. Ka hyrë kudo! Ne duam dëmshpërblim se nuk kemi me ccfarë rrojmë. Ka shkatërruar të gjithë prodhimin bujqësor. Ka dëmtuar të gjitha bimët”, thane ata.

Përveç dëmeve në bujqësi, banorët ankohen edhe për mungesën e ujit të pijshëm, rrugëve dhe kanalizimeve. Ndërkohë, fermerët kërkojnë edhe dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara nga karkalecët.

Dy javë më parë, i njëjti problem u shfaq edhe në Divjakë, ku pas ndërhyrjes me spërkatje nga strukturat e bujqësisë, situata po shkon drejt normalizimit. Në Boshanj, fermerët kërkojnë që të merren masa të ngjashme sa më parë, për të shmangur humbje të mëtejshme në prodhim.