SHBA- Kartelet e meksikane dhe kolumbiane të Narcos nuk zhgënjejnë asnjëherë për “mendjen e tyre pjellore”.
Bosët e trafikut gjejnë strategji të reja për të kaluar drogën, kryesisht me destinacion SHBA-të. Dhe kanë qenë agjentët kufitarë të Shteteve të Bashkuara, që njoftuan se kanë kapur një kamion që transportonte metamfetaminë, me vlerë më shumë se 5 milionë dollarë.
Aksioni u krye në kufirin SHBA-Meksikë dhe u raportua sot nga BBC. Lënda narkotike ishte e fshehur brenda një ngarkese me shalqinj.
Droga ishte e mbështjellë me plastikë të lyer me dy nuanca të gjelbërta, që t'i ngjante frutave dhe u vendos mes shalqinjve të vërtetë. Më shumë se dy tonë metamfetaminë - në një total prej 1220 pako - u sekuestruan nga oficerët.
“Mbajtja e drogës midis produkteve është një mënyrë e zakonshme për të kontrabanduar substancat e paligjshme përtej kufijve - dërgesat e bananeve janë më të njohurat, por oficerët kanë gjetur kohët e fundit lëndë narkotike në djathin Gouda dhe avokado”, shkruan BBC.
Zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA thanë se oficerët e tyre kishin ndaluar kamionin që transportonte një rimorkio, në kufirin me Meksikën, në Otay Mesa. Dokumentet sugjeruan që shoferi po transportonte një ngarkesë për shalqinj, por një inspektim zbuloi pakot që përmbanin metamfetaminë.
I njohur gjithashtu thjesht si “meth”, droga sintetike është një stimulues i fuqishëm dhe që krijon shumë varësi. Shoferi iu dorëzua zyrtarëve të Sigurisë Kombëtare.
Konfiskimi erdhi një javë pasi zyrtarët në të njëjtin vendkalim kufitar zbuluan pothuajse 300 kg “meth” në një ngarkesë selino. Të dy transportet arritën në një vlerë totale prej 6 milionë dollarësh, sipas CBS News, partneri i BBC-së në SHBA.
Kartelet meksikane të drogës janë prodhuesit dhe furnizuesit kryesorë të metamfetaminës në Shtetet e Bashkuara. Në shkurt, forcat meksikane të sigurisë kapën më shumë se 40 tonë drogë në laboratorin më të madh të zbuluar vitet e fundit. Zyrtarët meksikanë thanë se laboratori kishte më shumë se 200 centrifuga, kaldaja dhe dhoma kondensimi - pajisje kyçe të përdorura për prodhimin e kimikatit.