TIRANE - PDIU zhvilloi dje një takim në Kashar, me mbështetës nga zonat periferike të kryeqytetit e nga fshatrat përreth, ku u prezantua kandidati për deputet, Tahir Muhedini.

Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi u bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë nr. 50, të votojnë PDIU, si partinë e vetme që del në këto zgjedhje me bilanc e me program, pa u marrë me kundërshtarët politik.

Sipas tij, politika shqiptare duhet njëherë e mirë t’i shmanget konfliktualitetit dhe të mos i ndajë shqiptarët në veri e jug, apo akoma më keq në fe, por t’i bashkojë të gjithë në emër të idealit kombëtar.

Ai theksoi se është e domosdoshme që parti kauzash, si PDIU të përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë me sa më shumë deputetë, në mënyrë që të fuqizojnë zërin kombëtar në parlamentin e shqiptarëve.

Duke folur për çështjen çame dhe çështjen kombëtare, Idrizi theksoi se duhet të dëbojmë Kalin e Trojës nga Kuvendi i Shqipërisë. “Ne ia kemi dalë të dëbojmë Kalin e Trojës nga Kuvendi e nëse është e domosdoshme do ta bëjmë sërish, por këtë herë me 7 deputetë”, deklaroi Idrizi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)