TIRANE - Ish-deputeti i grupit parlamentar socialist, Kastriot Islami akuzon deputetë dhe anëtarë të Partisë Socialiste lidhur me akuzat dhe debatet pa të drejtë mbi kolegun e tyre Arben Malaj.

Duke iu referuar personave të caktuar në PS, përfshirë këtu deputetët dhe anëtarët e rinj në këtë parti, Ismali nuk rri pa akuzuar edhe vetë kreun e PS Edi Ramën duke e konsideruar atë se bashkëpunon me grupe njerëzish në këtë part me stile komuniste për të përjashtuar Malajn. "E njoh mirë teknologjinë e këtij sulmi të konceptuar dhe përgatitur nga Rama duke thirrur grupe grupe dhe individualisht te gjithë skifterët. Një sulm që ka filluar në mënyrë të shëmtuar me stilin komunist një ditë më parë në një media në dispozicion të Ramës ku flasin dhe shajnë më vete anëtarët e klientelës së Ramës. Në një faqe elektronike të kësaj medjeje pasi botohet një shënim për Arben Malajn, në blogun e saj në mënyrë të organizuar persona të organizuar e nën drejtimin direkt të Ramës (njerëz të kati të katërt të PS) fillojnë shajnë zoti Malaj me një gjuhë banale ekstreme e të turpshme për një parti politike, te gjithë anonime duke të dhënë përshtypjen e një bande të revolucionit kulturor kinez", thotë Islami në rrjetin Facebook.

Ndërkohë që sipas të dhënave në katin e katërt të selisë rozë ndodhen zyrat e partisë Socialiste në Tiranë, të cilat drejtohen nga Sajmir Tahiri. Po ashtu ndodhet dhe zyra e kryetares së FRESH, Elisa Spiropalit. Deputeti Islami, vijon edhe më tej në komentin e tij për debatin e brendshëm në PS mes Malajt dhe deputetëve të tjerë duke theksuar se turpi më i madhe që tregon jo vetëm një mentalitet të vjetër komunist por edhe një sjellje të pashembullt është se Mala,j i cili kërkon që PS të bëhet bashkëautore e integrimit sulmohet se po punon për Berishën.

MALAJ, FAJËSON PS NËSE DËSHTON STATUSI
Deputeti i PS, Arben Malaj në një intervistë televizive fajësoi të majtën parlamentare se me mosmarrjen pjesë në votimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 në Parlament, po çon drejt dështimit të statusitn. "PS duke mos marrë pjesë në votim ligjet bien dhe në këtë mënyrë ato duan muaj të tërë që të rifuten sërish për votim. Në një mënyrë apo tjetrën ka dështuar plotësimi i kushteve. Seanca edhe mund të shtyhet. Duke u vonuar në statsuin e vendit kandidat ne vonohemi ne hapat e tjera integruese të vendit", tha Malaj. Ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të votonte pro votimit të këtyre ligjeve. "Nuk duhet pyetur se çfarë do të bëjë një individ i caktuar. Debati është si t`i maksimizojmë energjitë pozitive të partive politike për të dalë nga ky udhëkryq", tha Malaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)